Kosova duhet të avancojë kornizën ligjore për ristrukturim dhe falimentim të ndërmarrjeve

Prishtinë, 29 prill 2020 – Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia COVID19 cenon operacionet e shumë ndërmarrjeve, një numër i të cilave mund të ballafaqohen me nevojën e ristrukturimit apo edhe falimentimin. Për të diskutuar për kornizën ligjore të zgjidhjes së borxhit, por edhe ristrukturimit e falimentimit, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC) organizuan një forum virtual me panelistët Andres Federiko Martinez, Specialist i Lartë për Zgjidhje të Borxhit dhe Falimentim në Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC) pjesë e Grupit të Bankës Botërore, Ardi Shita, Konsulent i IFC, Berat Rukiqi, Kryetar i Odës Ekonomike e Kosovës, si dhe Petrit Balija, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës

Duke folur përmes video komunikimit nga Uashingtoni, Andres Federico Martinez nga IFC, tha se kriza në të cilën ndodhemi tani përbën një rrezik të madh mbi mbijetesën e bizneseve dhe theksoi rëndësinë e  një strategjie të mirëfilltë për të dalë nga kjo situatë, strategji kjo e cila përfshinë edhe sistemin e insolvencës.  Martinez u shpreh se si strategji e daljes nga kriza dhe minimizimit të numrit të bizneseve që ishin drejt falimentimit janë reformuar ligjet e insolvencës për të bërë më të vështirë që kreditorët të përshpejtojnë procesin e falimentimit dhe duke u lejuar debitorëve që të përfitojnë nga këto ligje si mekanizëm i ristrukturimit. Ai gjithashtu shtoi se beson që Kosova ka instrumente të fuqishme brenda ligjit të falimentimit që të reagojë ndaj kësaj krize në mënyrë që të ruhet funksioni kryesor i tij.  Gjithashtu ai shtoi së shumë shtete brenda dhe jashtë BE-së kanë bërë ndryshime brenda këtij ligji gjatë kësaj periudhe në mënyrë që të mbrojnë kompanitë nga likuidimi. Martinez tha më tej se rreziku kryesor në Kosovë është likuidimi i kompanive funksionale dhe të nevojshme për ekonominë dhe mirëqenien e vendit, duke theksuar se së pari duhet të inkurajojmë negociatat jashtëgjyqësore sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme pasi që Kosova ka ligj edhe për këto negociata. Në fund, ai inkurajoi të gjithë pronarët e bizneseve që të konsultohen me avokatët e tyre dhe ti shfrytëzojnë këto mekanizma të parapara me ligj.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës u shpreh se agjenda e përfaqësimit të bizneseve ka për qëllim minimizimin e numrit të bizneseve me potencial falimentimi dhe ruajta e vendeve të punës në Kosovë, duke shtuar se ndër problemet me të cilat po përballen këto kompani është rënia e vazhdueshme e konsumit. Ai përmendi të gjeturat e një ankete të kryer nga pesë asociacione të biznesit sipas të cilës 95% e bizneseve në Kosovë janë të prekura nga masat kufizuese që janë marrë nga Qeveria në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit. Ai shtoi se 65% e bizneseve në Kosovë po shprehin pasiguri në të ardhmen e tyre, duke shtuar se sipas të gjitha vlerësimeve, industria e tregtisë me shumicë dhe pakicë ka shënuar rënie dhe se pa likuiditet të kompanive, humbjet dhe problemet financiare që kanë pasuar nga rënia e produktivitetit shihen si problemi kryesor i shkaktuar nga pandemia.

Ardi Shita,  Konsulent në IFC foli për kornizën e ligjit që rregullon çështjen e insolvencës në Kosovë duke thënë se në këto kohë është më aktual se asnjëherë më parë, duke shtuar që gjatë viteve të kaluara sistemi ligjor përkatësisht në aspektin e insolvencës ka qenë i mangët ndërsa që nga viti 2016 kemi një ligj tërësisht të ri i cili bazohet në praktikat më të mira Evropiane.  Ai më tej shtoi se ky ligj, në kuadër të procedurës së falimentimit ofron mundësinë e një riorganizimi të detyrueshëm që jep hapësirë për rikthim dhe zhvillim të debitorit, ndërsa ligji i Kosovës ka mekanizma të ndryshëm për bizneset e vogla dhe të mesme. Shita foli edhe për iniciativën për krijimin e një ligji të ri për falimentimin, duke theksuar se riorganizimi në çdo rast nuk mund të bëhet në mënyrë që kreditorëve t’u ofrohet më pak kthim se ajo që do të kishin fituar me rastin e likuidimit dhe se asnjëherë nuk është qëllim të dëmtohet kreditori. Shita megjithatë foli për kulturën e përgjithshme e cila stigmatizon procesin e falimentimit, duke theksuar se megjithatë, falimentimi është proces normal nëpër të cilin duhet të kalojnë ndërmarrësit, për aq kohë sa ai nuk ka prapavijë të qëllimshme.

Petrit Balija, nga Shoqata e Bankave të Kosovës tha se në situatën në të cilën gjendemi është e pashmangshme që disa biznese të shkojnë drejt falimentimit si rezultat i pezullimit të aktiviteteve prodhuese apo shërbyese dhe reduktimit të konsumit të produkteve jo esenciale.  Ai shtoi se tanimë mund të pritet që të ketë një numër të konsiderueshëm të bizneseve që mund të shfrytëzojnë procedurat për zgjidhje të borxhit  dhe ristrukturim të biznesit. Balija gjithashtu foli në mënyrë më të detajuar për përfitimin që kanë bankat nga implementimi i mirëfilltë i praktikave të falimentimit apo nga krijimi i ligjit të ri duke thënë se bankat janë duke dhënë një kontribut të vlefshëm për parandalimin e insolvencës dhe mbështetjen e bizneseve. Duke bërë një ndërlidhje me situatën aktuale, Balija tha se në kuadër të këtij mekanizmi hyn edhe programi për shtyrjen e kredive, program të cilin po e zbatojnë të gjitha bankat anëtare të Shoqatës së Bankave prej të cilit kanë përfituar rreth 45,000 klientë të bankave tani edhe nga Banka Qendrore është publikuar se është një shumë rreth 1.3 miliardë euro në kredi të ristrukturuara. Ai gjithashtu shtoi se ekspertët e ligjit dhe ekspertet e procedurave gjyqësore propozojnë orientim ndaj alternativave jashtëgjyqësore, në kuadër të Odës Amerikane dhe Odës Ekonomike të Kosovës.