Kosova me shumë përparësi për kompanitë amerikane që synojnë kontraktim të proceseve biznesore

Prishtinë, 23 shtator 2021 – Popullsia e re, si aseti më i rëndësishëm që ka shteti i Kosovës, njohuritë në fushën e teknologjisë së informacionit si dhe zotërimi i disa gjuhëve të huaja, janë ndër faktorët më të rëndësishëm që e bëjnë Kosovën vend të përshtatshëm për kontraktimin e proceseve biznesore në Kosovë nga kompanitë amerikane dhe kompanitë e tjera ndërkombëtare. Rritja e numrit të ndërmarrjeve të cilat specializojnë në shërbimet e tilla dhe eksportimi i këtyre shërbimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë, kanë ndikuar që Kosova të shënojë bilanc pozitiv të pagesave kur bëhet fjalë për shërbimet, megjithatë nevojitet mbështetje e shtetit për promovimin e kësaj industrie, si dhe zhvillimin e mëtejmë të saj. Kjo u tha në një forum të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me titull “Pse të kontaktohen proceset biznesore në Kosovë?”

Moderatori i kësaj ngjarje, Fatos Ameti nga kompania Sonnecto tha se shumë kompani kosovare kanë arritur që të arrijnë marrëveshje partneriteti me kompani amerikane dhe kompani të tjera ndërkombëtare, duke ofruar shërbime të ndryshme për ta nga Kosova. E kjo është bërë e mundshme edhe falë fuqisë punëtore që Kosova ofron në fushat e teknologjisë së informacionit, por edhe nivelit të lartë të gjuhës angleze dhe të gjuhëve të tjera të huaja.

Ersan Ismaili nga kompania Converged Communications, tha se ekipi i tyre ka ofruar shërbime kryesisht në sektorin e telekomunikacionit për kompani vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë zhvillimin e softuerëve, programe të menaxhimit të marrëdhënieve me klientët, faturim dhe integrime me platforma të ndryshme. Ai foli për përvojën e kompanisë në ofrimin e shërbimeve për njërën ndër kompanitë më të mëdha amerikane në Kaliforni. Ai foli për rritjen e efikasitetit të kompanive amerikane të cilat kanë kontraktuar procese biznesore nga kompania në Kosovë. Ai theksoi nevojën e trajnimit të fuqisë punëtore në Kosovë si përgjigje në kërkesat gjithnjë e në rritje për profile të tilla nga kompanitë kosovare që ofrojnë shërbime të tilla, duke theksuar si pozitive krijimin e institucioneve të aftësimit profesional në fushën e teknologjisë së informacionit.

Fitim Konjusha nga kompania Quantech foli për përvojat e kompanisë së tij në ofrimin e shërbimeve të kontraktimit tek kompanitë e huaja. Ai tha se niveli shumë i lartë i zotërimit të gjuhës angleze nga të rinjtë e Kosovës është një përparësi e madhe, duke ditur përvojat jo të mira që kompanitë amerikane dhe të tjera ndërkombëtare kanë me niveli jo i kënaqshëm linguistik në shtetet aziatike. Ai po ashtu tha se kostoja e ofrimit të shërbimeve të tilla në Kosovë krahas nivelit të lartë të profesionalizmit të shërbimeve që mund të kontraktohen në Kosovë nga kompanitë ndërkombëtare janë garantues i fuqizimit të kësaj industrie në të ardhmen.

Të pranishmit në këtë forum ofruan rekomandimet e tyre lidhur me nevojën e promovimit më të madh nga institucionet e shtetit për ndërmarrjet e kësaj industrie, por edhe për nevojën e mbështetjes institucionale për këtë sektor, duke e ditur kontributin që ky sektor jep në punësimin e të rinjve, por edhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.