Kosova në avantazh kundrejt shteteve të rajonit për regjistrim të bizneseve

Prishtinë, 18 nëntor 2020 – Zgjedhja dhe implementimi i një strukture të biznesit është një ndër hapat më të rëndësishëm për një ndërmarrës që synon depërtim në treg, ndërsa legjislacioni kosovar është mjaft modern në këtë aspekt. Kjo u tha gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, i cili u moderua nga Fadil Sahiti, profesor i lëndëve të menaxhmentit në RIT Kosovo.  Java Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë organizohet nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK).

Ardi Shita, partner në kompaninë ligjore Shita & Ibrahimaga, theksoi se me zhvillimin ekonomik që ka gëzuar shteti vitet e fundit është ngritur edhe vetëdija rreth modeleve të biznesit dhe nevojës së implementimit të tyre. Sipas tij, ligji i Kosovës për këtë aspekt është mjaft modern dhe ofron fleksibilitet për regjistrimin e bizneseve si shoqëri tregtare, dhe kjo përbën një avantazh kundrejt shteteve të tjera në rajon. Shita gjithashtu potencoi për ndërmarrësit e rinj se për dallim nga shtetet e tjera, Republika e Kosovës nuk i njeh si të ligjshme bizneset e paregjistruara, prandaj, kryerja e aktivitetit afarist vetëm përmes numrit fiskal mund të njihet si vepër penale. Tutje ai përmendi faktin se forma dhe struktura më e rekomandueshme e bizneseve në vend është ajo e Shoqërive me Përgjegjësi të Kufizuara (SH.P.K).

Shkëmb Gashi, menaxher në departamentin e auditimit në kompaninë Ernst and Young Kosovo, tha se deri vonë, shumica e bizneseve të hapura nga ndërmarrësit e rinj kanë qenë individualë, kjo si rrjedhojë e mungesës së njohurive ndaj modeleve të biznesit dhe përfitimeve apo mangësive të tyre. Duke u ndërlidhur me avantazhet që sjell modeli i shoqërive me përgjegjësi të kufizuara bazuar në ekonominë dhe tregun vendor, Gashi përmendi se të njëjtat ofrojnë qasje më të madhe tek resurset njerëzore, dhe operojnë me përgjegjësi të ndara.  Tutje, Gashi elaboroi mbi procedurat e regjistrimit të bizneseve sipas strukturës së zgjedhur, të cilat kërkojnë procedura të ndryshme sipas ligjit në fuqi.