Kosova të investoj në edukimine të rinjve për zhvillim të sektorit të BPO-së

Prishtinë, 2 maj, 2023 – Industria e kontraktimit të proceseve afariste është duke u zhvilluar çdo ditë në mënyrë që të plotësoj nevojat e tregut dhe bizneseve. Ndër asetet që Kosova ofron në këtë industri janë shërbimet me kosto më të ulët, një fuqi punëtore me aftësitë dhe njohuritë e duhura si dhe një ambient të shkëlqyer pune. Kjo, ndër tjerash u tha në forumin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Fatos Ameti, kryeshef ekzekutiv i kompanisë Sonnecto, dhe njëherit moderues i forumit tha se Kosova ka potencial të madh për të qenë konkurrent lider në raport me shtetet më të zhvilluara në industrinë e kontraktimit të proceseve afariste. Sipas tij, kjo mund të arrihet përmes krijimit të fondeve shtetrore, automatizimit të proceseve dhe investimeve e rrjetëzime mes kompanive vendore të këtij sektori. Tutje ai shtoi se tatimi i mirëfilltë i individëve që merren me këtë veprimtari do të përmirësoj këtë sektor si dhe ekonominë e vendit.

Arianit Fazliu, kryeshef ekzekutiv i kompanisë Kutia theksoi se me avancimin e këtij sektori vërehet edhe një nevojë e investimeve dhe përkrahjes nga Qeveria. Fazliu nënvizoi se gjithashtu pritet të lindë një kërkesë më e madhe brenda kompanive për rolin e mbrojtjes kundër krimeve kibernetike. Ai shtoi se për të rritur kompetencat e forcës punëtore, edukimi dhe aftësimi në profesione si arkitektë të “cloud”, DevOps dhe role të tjera në fushën e teknologjisë duhet të përfshihen në institucionet edukative. Fazliu tha se duhet të shtrëngohet tatimi i të ardhurave nga kontraktimi i proceseve afariste për “freelancer-s”. Në fund ai u shpreh se Kosova si shtet do duhej të fokusohej në një industri lidere duke u bazuar në identifikimin e trendeve të ardhshme për të cilat mund të avancohet tregu i ardhshëm i punës.

Drejtoresha ekzekutive e kompanisë StarLabs Hana Qerimi tha se me zhvillimin e teknologjisë artificiale, nevoja për automatizim të proceseve të punës si kujdesi ndaj konsumatorit, dizajni grafik e shumë veprimtari të tjera po ndikojnë që shumë kompani dhe korporata të ndryshojnë proceset e tyre burokrate. Qerimi gjithashtu shtoi se për të qenë në hap me trendet globale, kompanitë duhet të thellojnë bashkëpunimin mes tyre. Tutje ajo shtoi se përveç kërkesës për investime të huaja, duhet të lobohet edhe për zhvillimin e edukimit në përputhje me kërkesat e tregut dhe kësaj industrie. Qerimi gjithashtu theksoi se hendeku gjinor në industrinë e teknologjisë është ndjeshëm më i vogël.