Kostot e arbitrazhit janë shumë më efikase krahasuar me procedurat gjyqësore

Prishtinë, 2 prill 2021 – Gjatë ditës së katërt dhe njëkohësisht përmbyllëse të Javës së Arbitrazhit, aktivitet ky i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Programi i USAID për Drejtësi Komerciale, u diskutua mbi arbitrazhin me kosto të ulët, si dhe mundësitë për financim të të njëjtit. Një diskutim mjaft informues mbi këtë temë u zhvillua me avokatë vendor, ku mes të tjerash u diskutua edhe roli i këtyre të fundit në këshillimin e bizneseve për përfshirje të klauzolës së arbitrazhit në marrëdhënie kontraktuale, si dhe u theksua se kostot e arbitrazhit janë shumë më efikase krahasuar me procedurat gjyqësore, të cilat zakonisht janë të tej zgjatura për shkak të mbingarkesë së gjykatave.

Kjo ngjarje u moderua nga sekretarja e përgjithshme e Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, Tea Blakaj Hoxha. Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, në një fjalë hyrëse për këtë ngjarje u shpreh se për shkak të efikasitetit jo të kënaqshëm të gjykatave në trajtimin e rasteve komerciale, Oda Amerikane ka inkurajuar në vazhdimësi bizneset që të shfrytëzojnë metodat për zgjidhjen alternative të kontesteve, përfshirë dhe arbitrazhin.

Pjesë e panelit ishte avokati Ardi Shita nga kompania Shita & Ibrahimaga, njëherit edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane. Shita u shpreh se çështja e krijimi të një gjykate ekonomike është shumë e veçantë për jetësimin e arbitrazhit me kosto të ulët, sidomos për shkak të vonimit të njohjes dhe lejimit të ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit nga ana e Departamentit për Çështje Ekonomike. Sipas Shitas, një gjykatë e cila do t’i trajtonte të gjitha aspektet komerciale do të ishte shumë e dobishme për të shtyer arbitrazhin drejt fuqizimit dhe zhvillimit.

Folës tjetër i panelit ishte edhe avokati Visar Ramaj nga kompania RPHS Law, i cili u shpreh se për çdo biznes kostoja është njëri nga faktorët kryesorë për marrjen e vendimit për përzgjedhjen e arbitrazhit ose gjykatës për zgjedhjen e kontesteve. Sipas Ramajt, kostot e arbitrazhit në përgjithësi përfshijnë koston e parashikueshmërisë së rezultatit final, koston e avokatëve të përfshirë, koston procedurale pra të institucionit të përfshirë, si dhe koston e arbitrave.  Megjithatë, Ramaj theksoi se arbitrazhi ka avantazhe të pakrahasueshme në raport me gjykatën, sepse garanton konfidencialitet, shpejtësi, si dhe kontroll të palëve mbi aspektin e zhvillimit procedural të rastit.

Derisa, avokati Korab Sejdiu, gjatë këtij diskutimi u shpreh se në vendet si Kosova ku sistemi gjyqësor nuk është i kompletuar, apo jo mjaft i sofistikuar, dhe ka pritje të mëdha për trajtimin e lëndëve, në kontekstin komercial subjektet afariste duhet automatikisht të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me anë të arbitrazhit. Sipas Sejdiut, arbitrazhi inicialisht është krijuar ashtu që kontestet komerciale të zgjidhen sa më shpejtë dhe me kosto sa më të ulëta.