Prishtinë, 14 mars, 2019 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim disa prodhues vendor, me të cilët ka biseduar për punët, sfidat dhe aktivitetet e tyre ekonomike.
Gjatë takimit, në të cilin ishin të pranishëm edhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, si dhe përfaqësuesi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke punuar me të gjitha institucionet relevante dhe me përkushtim në përmirësimin e legjislacionit i cili do të krijojë mundësi më të mëdha për sektorin privat.
Ndër temat kryesore të takimit ishte furnizimi i rregullt i operatorëve prodhues me energji dhe çmimi i saj, si dhe krijimi i politikave më të favorshme për bizneset prodhuese.