Kryeministri Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të Kosovës

Prishtinë 23 shtator, 2020 – Kalimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike nga Kuvendi i Kosovës si dhe implementimi i projekteve të përfshira në Marrëveshjen e Uashingtonit për Normalizim Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ishin disa nga temat e diskutimit gjatë një takimi të zhvilluar mes Kryeministrit të Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, me drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi si dhe përfaqësues të bizneseve anëtare të të dyja odave ekonomike.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se marrëveshja për normalizim ekonomik me Serbinë ka krijuar një momentum të ri, përmes të cilit Kosova në pesë vitet e ardhshme mund të kthehet në një zonë të gjallëruar me mijëra vende të reja të punës. Hoti theksoi se është e domosdoshme që Qeveria të punojë me odat ekonomike dhe komunitetin e biznesit drejt gjallërimit të ekonomisë së vendit, sidomos pas marrëveshjes. Ndërsa, duke folur mbi mundësitë nga Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, Kryeministri Hoti apeloi të gjitha grupet parlamentare ta votojnë sa më parë të njëjtin.

“Ky ligj, bashkë me Fondin për rimëkëmbje ekonomike, në total, deri në fund të këtij viti iu mundëson bizneseve dhe qytetarëve në Kosovë rreth 700 milionë euro në dispozicion, prej të cilave për një muaj e përmbyllim pjesën tonë të Fondit për rimëkëmbje ekonomike prej 365 milionë, pastaj pjesa tjetër që vjen prej Ligjit për rimëkëmbje ekonomike”, theksoi kryeministri.

Gjatë këtij takimi gjithashtu u diskutua edhe nevoja e përmbushjes së agjendës legjislative që të lehtësohet veprimtaria e bizneseve, ndërsa përfaqësuesit e bizneseve anëtare të të dy odave ekonomike, të cilët patën rastin të ofronin perspektivat e tyre mbi gjendjen aktuale të bizneseve në vend.