Kultura Organizative, indikator i rëndësishëm i arritjes së objektivave të kompanisë

Prishtinë, 8 nëntor 2021- Rëndësia e kulturës së një kompanie konsiderohet si vitale në mënyra të ndryshme. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane organizoi forumin ku u diskutua për kulturën e organizatave dhe marrëdhëniet e tyre brenda dhe jashtë kompanisë.

Frosina Islami nga kompania Coca Cola HBC për Kosovë dhe njëherit edhe moderator e ngjarjes, tha që kompania ku ajo punon fokusohet në kulturën korporative dhe në adaptimin e strategjive të fundit, si dhe në shpërndarjen e diversitetit dhe barazisë gjinore. Ajo tha se parashikojnë që 50% të pozitave menaxheriale të jenë të udhehequra nga gratë, kjo sipas saj paraqet sfida dhe në të njëjtën kohë ofron mundësi të punësimit të grave dhe luan rol në barazinë gjinore.

Merita Gashi Hajrizi nga kompania Cacttus Education përmendi sfidat në realizimin e strategjive të krijuara ndër vite, marrë parasysh faktin se tregu po po rritet dhe ndryshon vazhdimisht, dhe se kërkohen strategji të reja për zbatimin e politikave të ndryshme. Gashi Hajrizi tutje tha se adaptimi dhe të menduarit global bartin sfida dhe në momentin e rekrutimit kërkohen plotësimet të standarve ISO, ku stafi adaptohet më lehtë për shkak të rregulloreve afërsisht të ngjashme me ato botërore. Sipas saj, pandemia nuk ka pasur ndikim në funksionimin e kompanisë për shkak se kanë qenë paraprakisht të përgatitur duke organizuar trajnime për shëndetin mendor.

Nga Raiffeisen Bank, Burim Brahimi tha se kultura organizative fillon prej vizionit e deri tek vlerat, sjelljet e individëve konsiderohen të rëndësishme në kuadër të vlerave të kompanive. Për më tepër, integrimi në aspektin e kulturës dhe ndryshimi i mendësisë konsiderohen si një nga aspektet më të vështira pasi që çdo kompani ka planet e saj stragjike dhe objektivat se ku do të arrijë. Tutje, në kuadër të raportit të marrëdhënieve, më e rëndësishme konsiderohet marrëdhënia me klientët, dhe se bazë për funksionimin e kësaj të fundit është besimi për një marrëdhënie të shëndetshme. Kjo vlen edhe për relacionet e tjera, dhe partnerët e tjerë që janë bashkëpunëtorë të bankës tha Brahimi.

Shpresa Kika nga kompania Sutherland përmendi politikat lokale dhe globale të kompanive duke e bërë kulturën organizative edhe më gjithëpërfshirëse. Sipas saj, pavarësisht vendndodhjes, mentaliteti i kompanisë duhet të jetë i ngjashëm në vendet ku operon kompania. Ajo përmendi si sfidë nënshkrimin digjital në Kosovë dhe zhvillimin e trajnimeve gjatë periudhës së pandemisë, duke theksuar rëndësinë që përveç arritjeve, është mirë të lihen dhe praktikat e mira pas.