Prishtinë, 8 dhjetor 2016 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi ligjeratë me Gary B. Born, arbitër dhe avokat, njëri ndër dy juristët të cilët ndonjëherë janë shpërblyer me statusin “star” për arbitrazhin ndërkombëtar nga udhëzuesit Chambers and Partners. Një indikator i gamës dhe nivelit të tij të ekspertizës është numri i rasteve të arbitrazhit ku ai ka shërbyer si avokat, rreth 650 të tilla, si dhe përreth 200 raste të tjera ku ai kishte cilësinë e arbitrit. Born është aktualisht Kryesues i Grupit të Arbitrazhit Ndërkombëtar në firmën ligjore Wilmer Cutler Pickering Hale and Dorr LLP, si dhe President i Qendës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Singaporit.
Ligjerata adresoi zhvillimet më të fundit në arbitrazhin komercial si dhe arbitrazhin në fushën e investimeve. Born foli për eksperiencën e tij në fushën e arbitrazhit, duke theksuar pse arbitrazhi është mekanizmi i duhur për zgjidhjen e kontesteve: ai është efikas, karakterizohet me ekspertizë, është i paanshëm dhe vendimet janë të zbatueshme.
Përveç adresimit të përparësive të arbitrazhit, Gary Born shprehu opinionet e tij lidhur me një numër të pyetjeve të adresuara nga pjesëmarrësit, përfshirë specifikat e arbitrazhit të investimeve, zbatimin e vendimeve të arbitrazhit, financimi i procedurës së arbitrazhit nga palët e treta, konfidencialiteti i vendimeve të arbitrazhit, si dhe shtrirja e kompetencave të tribunaleve të arbitrazhit në fazën pas dorëzimit të vendimit të arbitrazhit.