Mbahet mbledhja vjetore e Kuvendit të Përgjithshëm të Odës Amerikane

Prishtinë, 19 janar 2023 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përmbyllur Mbledhjen Vjetore të Kuvendit të Përgjithshëm me një pjesëmarrje prej 128 delegatësh nga kompanitë anëtare, të cilët ndër tjerash, zgjodhën shtatë anëtarë të rinj të patitulluar të bordit për një mandat dyvjeçar.

Ky takim u kryesua nga Kryetarja e Bordit të Guvernatorëve Afrore Rudi e cila foli për të arriturat e Odës Amerikane gjatë vitit 2022, sfidat dhe kohët e vështira me të cilat është përballur komuniteti i biznesit si dhe informoi anëtarët për të gjitha ndryshimet e zbatuara, dhe punën e vazhdueshme që bën Oda Amerikane në përpjekje për të përmirësuar fushën e të bërit biznes në Kosovë, dhe për të lehtësuar zgjerimin e bizneseve vendore në tregjet e huaja.

Drejtori Ekzekutiv Arian Zeka prezantoi aktivitetet dhe raportet financiare për vitin 2022, si dhe programin vjetor dhe buxhetin për vitin 2023. Ai po ashtu falënderoi anëtarët themelues të Odës Amerikane si dhe kompanitë që kanë qëndruar anëtarë të Odës për gati 19 vitet e ekzistencës së saj. Ai gjithashtu foli për agjendën aktive të avokimit të udhëhequr nga Oda Amerikane dhe përsëriti se organizata do të jetë një zë më i lartë që flet në emër të bizneseve dhe vazhdimisht mbështet ato.

Delegatët e Kuvendit miratuan programin vjetor dhe buxhetin për vitin e ri, derisa zgjodhën edhe shtatë anëtarët e rinj të patitulluar të Bordit të Guvernatorëve për mandat dyvjeçar, në përputhje me dispozitat e reja të statutit të cilat kanë hyrë në fuqi nga ky vit. Anëtarët e rinj të Bordit janë: Mabetex Group përfaqësuar nga Valon Lluka, Kutia Inc. përfaqësuar nga Arianit Fazliu, Cisco përfaqësuar nga Taulant Stublla, Devolli Corporation përfaqësuar nga Dardan Shala, Fresh Brothers përfaqësuar nga Dren Deva, Tive përfaqësuar nga Astrit Leti dhe KEP Trust përfaqësuar nga Shpend Nura.