Prishtinë, 14 shkurt 2020 – Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), përmes projektit Zhvillimi i Tregjeve Rajonale të Energjisë, në partneritet me kompaninë Tetra Tech dhe Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë prezantuar para bizneseve projektin e tyre për praktika më të mira të menaxhimit dhe shfrytëzimit të energjisë, përmes miratimit të një sistemi menaxhues.
Pjesë e panelit në këtë tryezë ishin Mark Oven, këshilltar i lartë në Tetra Tech, Dragan Blazev, Ekspert i Sistemit të Menaxhimit të Energjisë (SME) dhe Larcus Pickett, menaxhere e projektit në Tetra Tech, të cilët folën për sfidat e menaxhimit të energjisë në vendet e Ballkanit duke theksuar nevojën e bizneseve dhe institucioneve për matje të energjisë, veçanërisht përmes miratimit të një SME-së, sistem ky i cili është krijuar për të monitoruar konsumin e energjisë në një ose më shumë pajisje prodhuese. Sipas tyre menaxhimi i përdorimit të energjisë elektrike mund të ndihmojë pronarët e ndërtesave publike, private ose tregtare të zvogëlojnë kostot dhe të ndihmojnë bizneset të jenë më konkurrues.
Ata theksuan se menaxhimi i energjisë është shumë i rëndësishëm pasi që mbron bizneset dhe institucionet nga dështimet e energjisë, përmirëson efikasitetin operacional, konkurrencën, si dhe performancën financiare, ndërkaq u bënë thirrje bizneseve që të implementojnë sisteme të tilla në kompanitë e tyre.