Mendësia ndërmarrëse faktor kyç për shquarjen e biznesit në treg

Prishtinë 18 tetor 2020 – Mendësia ndërmarrëse, dhe strategjitë e aplikuara në të bërit biznes janë faktorët që shquajnë ndërmarrësit në sektorin ku veprojnë. Zhvillimi i kësaj mendësie sjell përfitime të mëdha në mirëqenien e përgjithshme të vendit e në veçanti të rinisë pasi që lehtëson dhe përmirëson ambientin e të bërit biznes dhe afekton pozitivisht krijimin e vendeve të punës. Këto u thanë, ndër të tjera, gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në vazhdën e aktiviteteve në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, e cila organizohet nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK).

Arianit Fazliu, kryeshef ekzekutiv i kompanisë Kutia njëherit edhe moderator i këtij forumi theksoi rëndësinë e të pasurit mendësi ndërmarrëse gjersa shtoi se e njëjta duhet të zhvillohet vazhdimisht. Sipas tij, me praninë e ndërmarrësisë në vend, rritet edhe mirëqenia e të rinjve ndërsa potencoi se se duhet trashëguar shpirti ndërmarrës tek gjeneratat e reja përmes krijimit të lehtësirave për themelimin dhe veprimin e ndërmarrjeve në nivel rajonal.

Driton Hapçiu ndërmarrës si dhe bashkëthemelues i kompanive Cacttus dhe Recura tha se mendësia ndërmarrëse përbëhet nga një set i shkathtësive, njohurive dhe karakteristikave humane të cilat mund të ofrohen dhe përvetësohen edhe në dhe sistemet edukative qofshin ato publike ose private. Sipas tij për zhvillimin e kësaj mendësie, shoqëria kosovare ka nevojë për ndryshimin e disa koncepteve të edukimit formal dhe jo-formal gjersa theks të veçantë i dha përfshirjes së bashkëveprimi dhe punës në kolektiv e edhe zhvillimit i kulturës së dëgjimit e mendimit kritik tek të rinjtë. Tutje ai shtoi në Kosovë tanimë ekziston një ambient më stimulues për zhvillimin e ndërmarrësisë në krahasim me vitet e kaluara,  si dhe aktivitete më të qasshme të kësaj fushe ku mund të inkuadrohen të rinjtë për zhvillimin e ndërmarrësisë dhe mendimit strategjik.

Denis Gafuri kryeshef i kompanisë Denis Gafuri Consulting, përmendi se njëri ndër faktorët që mund të pengojnë zhvillimin e kësaj mendësie është qasja e gabueshme ndaj saj në institutet edukative por është edhe kultura familjare ndërsa potencoi edhe hezitimin e ndërmarrësve të rinj për të paraqitur idetë e veta.  Tutje, Gafuri theksoi se në mënyrë që të nxitet rinia e vendit për të zhvilluar mendësi ndërmarrëse duhet të implementohet një qasje më pozitive në sistemet edukative. Duke u ndërlidhur me sfidat që hasin ndërmarrësit  gjatë themelimit të bizneseve, ai shtoi se duhet të punohet më shumë drejt eliminimit të procedurave burokratike dhe shfrytëzimit të hapësirave për veprimtaritë e bizneseve.  Për fund, Gafuri u rekomandoi të rinjve që synojnë zhvillimin e karrierës në ndërmarrësi që të zhvillojnë e implementojnë këtë lloj mendësie si dhe të guxojnë të dalin nga zona e tyre e rehatisë për të krijuar diçka të re.