Mëngjesi për Ekzekutivë me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës

Prishtinë, 26 janar 2023 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një mëngjes për ekzekutivët me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu. Në këtë takim morën pjesë kryeshefat ekzekutivë të kompanive anëtare, të cilët patën mundësi të diskutojnë lidhur me sfidat dhe përparësitë që bizneset në Kosovë hasin gjatë procedurave doganore.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, njoftoi bizneset se veprimtaria e Doganës është në përputhshmëri të plotë me strategjinë dhe politikat zhvillimore të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe se vazhdimisht po punohet drejt krijimit të një administrate moderne doganore dhe avancimin e një sistemi efikas për lehtësimin e procedurave për tregti legjitime. Ai tutje shtoi se edhe tranzicioni digjital, drejtë të cilit po punohet, do të avancoj në shërbimet e Doganës duke lehtësuar procedura që deri më tani kanë marrë shumë kohë.

Bizneset anëtare të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ngritën disa çështje me të cilat janë ballafaquar, dhe më pas rekomanduan zgjidhje të mundshme rreth lehtësimit të këtyre procedurave siç janë deklarimi i mallrave. Ata diskutuan edhe rreth eksportit, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërshtetëror me shtetet rajonale me të cilat Kosova ka raporte tregtare.

Agron Llugaliu gjatë këtij takimi ftoi të gjitha bizneset të adresojnë sfidat, problemet apo ankesat që kanë, që në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe me institucionet e tjera relevante, të përmirësohet fusha e të bërit biznes në Kosovë.