Prishtinë, 18 gusht 2022 – Pas një pauze të gjatë nga një prej ngjarjeve më ekskluzive të Odës Amerikane, drejtuesit e nivelit ekzekutivë të Odës Amerikane dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u mblodhën në mëngjes për të diskutuar krizën e inflacionit, energjisë dhe fuqisë punëtore. Qëllimi i takimit ishte që të gjenerohen rekomandime përmes të cilave Qeveria dhe sektori privat mund të kontribuojnë në tejkalimin e këtyre sfidave.
Ministrja Rozeta Hajdari adresoi sfidat më të fundit të inflacionit dhe krizës energjetike me të cilën po përballet Kosova. Inflacioni në radhë të parë po ‘importohet’, duke marrë parasysh shkallën e importeve të Kosovës; ndërsa kriza energjetike është kryesisht për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Më tej ajo tha se këto sfida janë globale, por nuk e kursejnë Kosovën. Prandaj, është e rëndësishme të trajtohet ndikimi që kanë këto probleme, veçanërisht në sektorin privat. Ajo siguroi se qeveria, përkatësisht ministria që drejton, i ka prioritizuar këto sfida dhe po punon pandërprerë në krijimin e kushteve të lehta për ambientin e biznesit në këto kohë të vështira.
Anëtarët e pranishëm shprehën shqetësimin e tyre se si këto kriza do të ndikojnë në aktivitetin e tyre biznesor si dhe ofruan ekspertizën dhe burimet e tyre për të ndihmuar në tejkalimin sa më të shpejtë të muajve të ardhshëm që sipas parashikimeve, pritet të jenë të vështirë.