Mëngjesi për Ekzekutivët- Ministri Hekuran Murati

Prishtinë, 25 nëntor 2022 – Për të diskutuar mbi politikat fiskale të ndërmarra këtë vit, planet për vitin e ardhshëm dhe një pasqyrë të shkurtër të buxhetit të parashikuar për vitin 2023, ekzekutivët e Odës Ekonomike Amerikane takuan Ministrin e Financave, Hekuran Murati, në një nga eventet më ekskluzive të Odës Amerikane, të ashtuquajtur ‘Mëngjesi për Ekzekutivët’.

Kanë qenë të shumta sfidat që kanë nevojë për një përgjigje të menjëhershme, tha ministri Murati, ndërsa shpjegoi përpjekjet e tij për hartimin e politikave fiskale të duhura dhe të favorshme, të cilat jo vetëm do të ofronin mbështetje në kohë reale, por njëkohësisht do të çonin në krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik. Një nga shtytësit kryesorë të ekonomisë janë padyshim financat dhe likuiditeti, ndaj për t’i ruajtur ato, Ministria e Financave – në mungesë të mekanizmave monetarë – ka zhvilluar politika kuazi-monetare që kanë rritur ofertën monetare në ekonomi.

Gjatë gjithë vitit janë marrë masa të ndryshme. Për t’i ndihmuar bizneset që të mbajnë performancën e tyre, përkundër rritjes së përgjithshme të çmimit të energjisë elektrike në rajon, Kosova ka mbajtur çmimin pa ndryshime dhe ka ofruar subvencione me qëllim që çmimi i importuar të mos transmetohet tek komuniteti i biznesit dhe qytetarët, duke shmangur një valë tjetër inflacioniste.

Gjithashtu, ministri Murati pohoi se masat si mbështetja direkte për bizneset përmes subvencioneve për kredi për investime, mbështetja e punësimit, transfertat direkte për pjesën më të cenueshme të shoqërisë, kanë rritur likuiditetin, gjë që ka nxitur aktivitetin ekonomik dhe tregjeve të qëndrueshme të punës. Është e një rëndësie të madhe ruajtja e fuqisë blerëse të ekonomisë, në mënyrë që të mos ndodhë një recesion.

Buxheti i vitit të ardhshëm, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe vazhdimin e të ardhurave të brendshme, është parashikuar në 3.2 miliardë euro. Viti i ardhshëm do të sjellë skema dhe masa shtesë sociale, rritje të investimeve kapitale, rregullim të sektorit financiar dhe subvencione për të rinjtë dhe arsimin, të gjitha me synimin për të kontribuar në qëndrueshmëri në kohë të tilla të vështira. Ka shumë skenarë që nuk mund të parashikohen, megjithatë një bashkëpunim i ndërmarrjeve private dhe aktorëve institucionalë do të ndihmonte në tejkalimin e betejave ekonomike që shfaqen gjatë rrugës.