Mëngjesi për Shefa Ekzekutivë me Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale

Prishtinë, 1 dhjetor 2016 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi mëngjesin e radhës për shefa ekzekutivë me Ministrin  e Punës dhe Mirëqnies Sociale Arban Abrashi, nikoqir i së cilës ishte Cacttus. Në fokus të kësaj ngjarje ishin sfidat me të cilat ballafaqohen kompanitë anëtare të Odës Amerikane dhe sektori privat në përgjithësi dhe përmirësimet e nevojshme për të nxitur pjesëmarrjen dhe aftësimin e fuqisë punëtore në përputhshmëri me nevojat e tregut të punës.

Drejtori Ekzekutiv i Odë Amerikane, Arian Zeka identifikoi sfidat kryesore të punësimit në Kosovë, përfshirë edhe Ligjin e Punës, për ndryshimin e të cilit Oda Amerikane ka avokuar që nga viti 2013, duke konsideruar që ky ligj, mes tjerash, diskriminon dhe paraqet pengesë për pjesëmarrjen e femrave në tregun e punës.

Ministri Abrashi diskutoi rreth prioriteteve të ministrisë, me theks të veçantë aftësimin profesional të fuqisë punëtore dhe rritjen e punësimit në bazë të direktivave të Bashkimit Evropian. Abrashi vlerësoi se në kuadër të prioriteteve të ministrisë, subvencionimi i pagave, grantet për vetëpunësim si dhe ofrimi i trajnimeve profesionale në punë dhe nga vetë ministria kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e shkallës së papunësisë në vend.

Kastriot Fazliu, Drejtor i Cacttus Education konsideroi se lidhshmëria ndërmjet arsimimit dhe punësimit është shumë e rëndësishme për faktin se mungesa e shkathtësive profesionale, praktike paraqet pengesën kryesore për bizneset e vendit, duke pasur parasysh që bizneset kanë nevojë për fuqi punëtore të përgatitur për nevojat e tregut.

Gjatë diskutimit, anëtarët ofruan rekomandimet e tyre ndër të cilat investimi në arsim, aftësimi profesional dhe përgatitja për tregun e punës, ristrukturimi i pushimit të lehonisë si dhe investimi për punësim u konsideruan të jenë hapat kyç të cilët Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet ndërmarrë, me qëllim të funksionalizimit të mekanizmave për përkrahjen dhe nxitjen e pjesëmarrjes në tregun e punës.