Ministri Liburn Aliu pret një delegacion të Odës Amerikane

Prishtinë, 15 nëntor 2023 – Një delegacion i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, i kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv Arian Zeka, u prit nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu. Temë e diskutimit ishte zbatimi i Udhëzimit Administrativ për Sistemin e Rimbursimit të Depozitave, me ç’rast u vlerësua pozitivisht një nismë e tillë në shërbim të mbrojtjes së mjedisit.

Ministri Aliu foli për rëndësinë e kësaj nisme ligjore, duke u shprehur se diçka e tillë është edhe në përputhje me iniciativat e ngjashme në Bashkimin Evropian, e që qëllim kryesor ka reduktimin e hudhjes së ambalazhit në mënyrë të pakontrolluar, por edhe nxitjen e ekonomisë qarkore.

Përfaqësuesit e Odës Amerikane, që përfshinin Hakif Gashi nga kompania Meridian Corporation, Shaqir Palushi nga kompania Frutex/Golden Eagle dhe Frosina Islami nga Coca Cola HBC, shprehën shqetësimet e tyre lidhur me kohën e shkurtër të paraparë për nisjen e zbatimit të këtij akti nënligjor, duke kërkuar që të shqyrtohen mundësitë e zgjatjes së afatit të hyrjes në fuqi të dispozitës në fjalë.