Ministri Peci prezanton planet shtetërore për zhvillimin e bujqësisë

Prishtinë, 7 tetor 2021 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi forumin “Politikat shtetërore për zhvillim të bujqësisë” në panelin e të cilit morri pjesë Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, së bashku me Sead Shehun nga kompania M&Sillosi dhe Agran Halimi nga kompania Pestova, të moderuar nga konsulenti Fatmir Selimi.

Ministri Peci foli para pjesëmarrësve lidhur me politikat bujqësore të Qeverisë së Kosovës, duke se gjatë këtij mandati, Ministria do të angazhohet që përmes mekanizmave shtetëror, avancimit të legjislacionit aktual, si dhe politikave të duhura zhvillimore të krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e veprimtarive bujqësore, me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të sektorit të bujqësisë, si një prioritet i së ardhmes për zhvillim ekonomik të vendit.

“Mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes programeve dhe politikave mbështetëse për fermerët dhe prodhuesit vendor do të vazhdojë, duke i kontribuar rritjes së prodhimit dhe cilësisë për të gjitha prodhimet vendore. Po ashtu, gjatë këtij viti kam ndërmarrë veprime konkrete për të adresuar rekomandimet e Auditorit edhe sa i përket hartimit të kritereve dhe planifikimit të buxhetit për Programin e Pagesave Direkte”, ka thënë Ministri Peci.

Po ashtu, ai ka treguar se përmes programeve mbështetëse po krijon mundësi të reja përkrahëse për fermerët aplikues. “Në kuadër të programit mbështetës të këtij viti kemi rritur përkrahjen për perimtarë, si dhe kemi ndërmarrë veprimet që orientojnë subvencionimin mbi bazën e rendimentit. Ndërkaq, risi tjetër e këtij programi është edhe mbulimi i Primit të Sigurimit në vlerën prej 75 për qind për 6 kultura bujqësore për fermerët që vendosin t’i sigurojnë kulturat bujqësore”, tha ndër tjerash Ministri Peci.

Ministri Peci i ftoi përfaqësuesit e kompanive të pranishme në forum që shqetësimet e tyre t’i bashkëbisedojnë me Ministrin Peci, e i cili shprehu vullnetin dhe gatishmërinë që të adresojë shqetësimet dhe barrierat me të cilat përballen këta të fundit, bazuar në ligjet në fuqi.