Ndërmarrësi Blin Zeqiri ndan rrugëtimin e tij drejt suksesit

Prishtinë, 19 nëntor 2020 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Agjencia Rajonale për Zhvillim – Qendër organizuan një ngjarje përmes së cilës të rinjtë kosovarë patën mundësinë të takonin një ndërmarrës dhe të dëgjonin nga afër rrugëtimin e tij drejt suksesit. Kjo ngjarje virtuale u organizua në kuadër të aktiviteteve për Javën Globale të Ndërmarrësisë, e cila organizohet nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK).

Blin Zeqiri, ndërmarrësi nga kompania Art House, ndau rrugëtimin e tij drejt suksesit në ndërmarrësi, ku theksoi se përvoja dhe njohuritë e fituara gjatë studimeve jashtë vendit dhe implementimi i tyre në vend kanë qenë faktor kyç për depërtim në tregun vendor. Duke iu referuar rolit të ndërmarrësisë në ekonominë dhe mirëqenien e një vendi, ai potencoi se në ditët e sotme, zhvillimi dhe implementimi i ideve inovative në Kosovë është më i lehtë si rrjedhojë e globalizimit dhe transformimit digjital.

Tutje,  Zeqiri u rekomandoi të rinjve në vend, që kanë ide dhe synime ndërmarrëse që të punojnë drejt tyre si dhe të mësojnë nga gabimet e tyre pasi që përmes mësimeve të nxjerra nga dështimet  një ndërmarrës avancohet tutje. Një çështje tjetër e ngritur që adresoi Zeqiri është edhe përfshirja gjinore, ku iu referua kompanisë që ai drejton, e cila është gjithmonë në kërkim të punësimit të grave.

Në këtë aspekt, ai theksoi se qasja ndaj aspiratave ndërmarrëse në përgjithësi duhet

të jetë e natyrës mbështetëse dhe e barabartë.

Për fund, Zeqiri u rekomandoi të rinjëve të ndjekin aspiratat e tyre, të punojnë drejt aftësimit profesional, si dhe të marrin si shembull praktikat e vendeve të huaja dhe t’i modifikojnë ato për t’i përshtatur me tregun Kosovar për të zhvilluar ndërmarrësinë.