Ndërmjetësimi: Alternativë Jashtë Gjykatës me Shumë Përparësi

Prishtinë, 21 Mars, 2016 – Avantazhet e ndërmjetsimit, praktikat më të mira dhe përdorimi aktual i ndërmjetësimit në Kosovë, roli i ndërmjetësve dhe zbatimi i marrëveshjeve të zgjidhjes si dhe rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit të biznesit për përdorimin e ndërmjetësimit si një alternativë shumë efikase ishin disa nga temat e diskutuara në tryezën me temë: ‘Ndërmjetësimi: mosëmarrëveshje komerciale’ e organizuar nga Qendra e Arbitrazhit në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Paneli përbëhej nga Bekim Ismaili, ndërmjetës i licensuar (CSSP), Kujtim Kërveshi, avokat dhe ndërmjetës i licensuar dhe Shibani Shah, zëvëndës drejtoreshë në Programin për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial (CLE).

Në hyrje të fjalimit të saj, Sekretarja Gjenerale e Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, deklaroi se mënyra e zgjedhjeve të mosmarrëveshjeve përfaqson një vendim strategjik për bizneset, varësisht nga interesat e tyre primare, duke përfshirë edhe kostot e ulëta, efikasiteti në zgjidhjen e mosmarëëveshjeve si dhe mundësinë për të ndikuar në zgjedhjen e ekspertëve të fushës përkatëse për zgjidhje të mosmarrëveshjes. Më tej, ajo tha se ndërmjetësimi në  veçanti mundëson diskutimin mbi kompleksitetit dhe rrënjës së problemeve ndërmjet palëve, gjë e cila nuk ofrohet në procedurën e rregullt në gjykatë dhe sistemin tradicional gjyqësor. Ajo po ashtu përmendi dallimet ndërmjet gjykatave dhe ndërmjetësimit, si dhe përfitimet e këtij të fundit.

Bekim Ismaili prezantoi konceptin e përgjithshëm të ndërmjetësimit duke përfshirë metodën e përzgjedhjes së ndërmjetësve dhe punën e tyre, si dhe mundësinë e palëve të zgjedhin ekspertë nga fusha të ndryshme të cilët janë të kualifikuar për trajtimin e mosmarrëveshjeve të veçanta. Ismaili theksoi ndikimin që ndërmjetësimi do të kishte në rritjen e efikasitetit të gjyqësorit në vend.

Kujtim Kërveshi elaboroi mbi rolin e ndërmjetësve dhe nivelin përfshirës të tyre në procedurat e ndërmjetësimit. Ai theksoi se roli i tyre konsiston në grumbullimin dhe strukturimin e opcioneve të udhëhequra nga interesat e palëve. Në krahasim me gjykatat të cilat janë të fokusuara në zgjidhjen e çështjeve ligjore, ndërmjetësimi ofron platfomrë diskutimi për zgjidhjen e problemit në mes të palëve përmes kompromisit dhe përfundimisht një marrëveshje e cila është e vetëzbatueshme.

Shibani Shah ishte fokusuar më shumë mbi temën e zbatimit të marrëveshjes, si  hallka e fundit e procesit të ndërmjetësimit. Ajo u shpjegoi pjesmarrësve se marrëveshja e arritur nëpërmjet këtij procesi është reflektim i vullnetit të palëve të barabarta në kontratë. Më tej, ajo theksoi se përfshirja e ndërmjetësimit dhe klauzola e arbitrazhit është më se e rekomanduar, sidomos në shmangien e procedurave të gjata gjyqësore në rastet kur njëra palë nuk e respekton zbatimin e marrëveshjes nga procedura e ndërmjetësimit.

Përfaqesuesit e bizneseve patën mundësinë të adresojnë pyetjet e tyre për pasiguritë lidhur me këtë proces dhe ngritën çështje të interesit të tyre, e cila rezultoi me një diskutim shumë interaktiv mes tyre dhe panelit.