Ndikimi i Gjykatës Komerciale në procedurat e falimentimit

Prishtinë, 9 mars 2022 – Një mekanizëm i posaçëm gjyqësor, siç është Gjykata Komerciale që sapo u krijua, e cila ka në fokus çështjet komerciale, do të përmirësojë edhe efikasitetin e procedurave të falimentimit. Për të diskutuar ndikimin e këtij organi gjyqësor në procedurat e falimentimit, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) kanë organizuar një forum mbi Gjykatën Komerciale dhe procedurat e falimentimit.

Fahret Velija, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, tha se ky Këshill ka ndërmarrë hapa konkret drejt funksionalizimit të Gjykatës Komerciale, dhe se kjo gjykatë do të përbëhet nga katër departamente të parapara me ligj. Më tutje, Velija shtoi se kohëve të fundit ka pasur një rritje të rasteve të falimentimit, por megjithatë, ai theksoi se në sistemin e integruar të menaxhimit të lëndëve nuk është i evidentuar asnjë rast i riorganizimit. Në vazhdim, ai tha se kjo mund të jetë për arsye se bizneset nuk janë në dijeni për këtë pjesë të ligjit, ku atyre u lejohet mundësia e riorganizimit para se të arrihet te procedurat e likuidimit.

Njomëza Zejnullahu nga Programi i USAID për Drejtësi Komerciale, tha se Gjykata Komerciale, si gjykatë e specializuar do t’u ofrojë bizneseve qasje më të shpejt dhe më efikase në drejtësi.  Në vazhdim, ajo tha se krijimi i kësaj gjykate do të ndikojë pozitivisht edhe në efikasitetin e procedurave te falimentimit, ku eliminimi i vonesave dhe sfidave të ndryshme do t’i bëjë këto procedura më të lehta.

Syzana Dautaj nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), tha se raste të falimentimit në Kosovë ka shumë pak dhe se mungon vetëdijesimi i bizneseve për përparësitë që  mund të ketë një procedurë e mirëfilltë e falimentimit.