Ndikimi i rregullativës për mbrojtjen e të dhënave personale tek bizneset

Prishtinë, 8 mars 2022 – Për të kuptuar legjislacionin e Kosovës për mbrojtjen e të dhënave, si dhe ndikimin e rregulloreve evropiane dhe të tjera për mbrojtjen e të dhënave për komunitetin e biznesit, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një tryezë të rrumbullakët për t diskutuar mbi ndikimi e rregullativës për mbrojtjen e të dhënave personale tek bizneset.

Krenare Sogojeva Dermaku, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, tha se kjo agjenci mbikëqyrë dy ligje, atë për qasje në dokumente publike dhe për mbrojtjen e të dhënave personale. Sogojeva Dermaku shtoi se ligji i mbrojtjes së të dhënave personale është plotësisht transpozim i dispozitave të rregullores së përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave (GDPR). Më tutje, ajo tha se është e rëndësishme që institucionet dhe shoqëria, në përgjithësi, të ndërgjegjësohen sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, duke shtuar se Agjencia që ajo drejton, krahas punës që bënë, ka gjetur hapësirë dhe kohë për të promovuar edhe zbatimin e këtij ligji. Sogojeva Dermaku ofroi bashkëpunim me institucionet e sektorit privat, duke shprehur se janë të gatshëm të ofrojnë këshilla dhe ndihmë në hartimin e kornizave të brendshme ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.

Blendi Zhitija, Ekspert për çështje ligjore dhe bashkëpunëtor i PwC për Kosovë dhe Shqipëri, tha se është e rëndësishme që institucionet që grumbullojnë të dhëna personale të jenë sa më transparentë me klientët dhe në linjë me legjislacionin e Kosovës dhe GDPR.

Anëtarët e pranishëm në këtë forum diskutuan edhe dallimet midis ligjit të Kosovës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe GDPR, në lidhje me pozitën e zyrtarit për mbrojtjen e të dhënave personale në institucione që grumbullojnë këto të dhëna. Njëherit, u diskutua dhe se çfarë nënkupton përpunimi i ligjshëm i të dhënave dhe e drejta për t’u harruar.