Nënshkrimi Digjital, e ardhmja e identifikimit të bizneseve

Prishtinë, 28 korrik, 2022 – Për të diskutuar përfitimet e nënshkrimit digjital,  procedurën e marrjes së nënshkrimit digjital dhe rëndësinë e përgjithshme e të pasurit nënshkrim digjital në të ardhmen, Oda Amerikane organizoi forumin e radhës “Përfitimet e Nënshkrimit Digjital”.

Ajshe Jashari, Udhëheqëse e Divizionit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Ministrinë e Ekonomisë, tha se Ministria e Ekonomisë është në proces të nxjerrjes së akteve nënligjore për identifikimin elektronik. Në vazhdim, ajo tha se këto akte nënligjore sqarojnë karakteristikat teknike të sigurisë, rregulloren e konformitetit të ofruesit të shërbimeve, si edhe mënyrat e pajisjes me këtë mjet identifikimi.

Blerim Rexha, Profesor në Universitetin e Prishtinës dhe PBC Academy/CTO në www.rks-trust.com, tha se duke qenë se Kosova ka bazë ligjore për identifikimin elektronik, Qeveria duhet të organizojë një kampanjë vetëdijesimi për përdorimin e nënshkrimit digjital, për të promovuar përdorimin e nënshkrimit dhe vulës digjitale. Më tutje, ai rekomandoi që në mënyrë që Ministria e Ekonomisë ta ketë më të lehtë implementimin e identifikimit digjital, ajo duhet të kontraktojë kompani private për të kryer pjesën teknike të këtij procesi.

Arianit Fazliu, Kryeshef Ekzekutiv & Bashkë-themelues i Kutia X, theksoi se me përdorimin e nënshkrimit dhe vulës elektronike, bizneset do të kursenin shumë kohë, kosto dhe do ta lehtësonin burokracinë, duke i kryer obligimet e ndryshme në mënyrë elektronike.

Anëtarët e pranishëm në forum dhanë rekomandimet dhe shqetësimet e tyre, ku diskutuan për trajnimet për zyrtarët e ARBK-së për përdorimin e nënshkrimit digjital, rreziqet e përdorimit të identifikimit elektronik, dhe barrierat e mundshme që pengojnë implementimin e identifikimit elektronik etj.