Njohja e aktvendimeve të arbitrazhit: Arbitrazhi dhe Gjykata Komerciale

Prishtinë, 17 mars 2022 – Në vazhdën e javës së arbitrazhit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Programi i USAID për Drejtësi Komerciale, është trajtuar tema e njohjes së aktvendimeve të arbitrazhit, në veçanti diskutimi rreth arbitrazhit dhe Gjykatës Komerciale.

Eros Gashi, Këshilltar i Lartë Politik i Ministres së Drejtësisë, tha se Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar në inkurajimin e palëve për të shfrytëzuar metoda alternative në zgjidhjen e kontesteve. Krahas arbitrazhit, si metodë alternative për zgjidhjen e kontesteve, ai përmendi edhe ndërmjetësimin. Në vazhdim, Gashi shtoi se janë bërë ndryshime të akteve nënligjore për ndërmjetësim, ku pasi janë vlerësuar si të ulëta, janë ngritur tarifat e ndërmjetësuesve, me qëllim të ngritjes së standardit profesional.

Avokatja Shtetërore, Fitore Gajtani, tha se avokatura shtetërore është e familjarizuar edhe me arbitrazhin shtetëror, e edhe me atë ndërkombëtar. Ajo shtoi se kompanitë që u kryejnë shërbime organeve shtetërore, kryesisht pajtohen që në rast të konfliktit të përcaktohet gjykata vendore për zgjidhjen e këtyre kontesteve. Gajtani përmendi se avokatura shtetërore ka pasur vetëm një rast të arbitrazhit vendor deri më tani.

Valon Basha, Partner në avokaturën Basha Law, tha se procedura e njohjes dhe e ekzekutimit të vendimit të arbitrazhit është e paraparë me ligj.  Ai shtoi se kjo procedurë është e thjeshtë dhe fillon kur propozuesi ia paraqet gjykatës kërkesën për njohje dhe ekzekutim. Basha theksoi se me krijimin e Gjykatës Komerciale këto çështje do të trajtohen në mënyrë më profesionale dhe proceset do të jenë më të shpejta.

Korab Sejdiu, Partner dhe Themelues i avokaturës Sejdiu&Qerkini, tha se nëse vendimet komerciale janë vendore, ato nuk kanë nevojë për njohje, por vetëm të bëhet kërkesa për ekzekutim në Gjykatën Komerciale. Në vazhdim, ai tha se për arbitrazhin komercial, nga një vend i huaj, vendimi duhet fillimisht të shkojë në procedura të njohjes pastaj në procedura të ekzekutimit në gjykatën tonë. Ai theksoi se ekzistojnë disa baza të kufizuara ligjore për të sfiduar vendimin e arbitrazhit.

Zëvendësudhëheqësja e Programit të USAID për Drejtësi Komerciale, Vjosa Shkodra tha se arbitrazhi si proces nuk ndikohet nga institucionet shtetërore, pasi që është proces që zhvillohet jashtë sistemit gjyqësor.