Njohja e vendimeve të arbitrazhit forcon sistemin ligjor të Kosovës

Prishtinë, 29 mars 2023 – Në ditën e tretë të Javës së Arbitrazhit, ekspertë të arbitrazhit u mblodhën për të diskutuar rëndësinë e njohjes dhe zbatimit të vendimeve të marra gjatë procesit të arbitrazhit, si një nga elementët më të rëndësishëm në këtë proces ligjor pas zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje.

Gjatë diskutimit, Erblina Krasniqi Prishtina, avokate në Prishtina Law dhe njëherësh moderatore e kësaj ngjarje, shtroi pyetjen se pse bizneset duhet të ndjekin procedurat e arbitrazhit në vend të procedurave të rregullta gjyqësore.

Fisnik Salihu, arbitër në Qendrën e Arbitrazhit të Odës Amerikane, tha se bizneset dhe korporatat e mëdha preferojnë të zgjedhin arbitrazhin si metodë alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rast se ka kontest mes palëve nënshkruese. Më tej ai shtoi se arbitrazhi ofron përparësi të shumta dhe palët që zgjodhën këtë rrugë ligjore janë të kënaqura me rezultatet.

Kjo është për shkak se arbitrat janë të specializuar, dhe palët mund të zgjedhin arbitrin e tyre, që në thelb do të thotë se ata zgjedhin gjyqtarin për çështjen e tyre. Më pas moderatorja iu referua ligjit për investimet e huaja në Kosovë, ku shteti i Kosovës ka hequr dorë nga ndjekja e procedurës në gjykata. Me dispozita të veçanta në atë ligj ka përcaktuar se investitori i huaj mund të shkojë automatikisht në arbitrazh.

Visar Ramaj, avokat në RPHS Law tha se një shtet mund të jetë palë në arbitrazh në dy cilësi, së pari si palë në kontratë dhe së dyti garantues i stabilitetit të investimeve të huaja. Përsa i përket njohjes së vendimeve të marra në procesin e arbitrazhit, ai u shpreh se Gjykata Komerciale ka shtuar fokusin e saj në këtë çështje. Fisnik Salihu shtoi se ligji për gjykatën komerciale parasheh një risi, ku gjykata tregtare do të përfshijë një divizion të veçantë lidhur me trajtimin e kontesteve ndërmjet investitorëve të huaj.

Gjatë kësaj ngjarjeje, Ramaj theksoi se përparësitë në Kosovë janë struktura ligjore dhe ligjet në fuqi që janë në përputhje me standardet më të mira si dhe Qendra e Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë e cila është një qendër me integritet.

Me fokusin e shtuar të gjykatës tregtare në njohjen e vendimeve të arbitrazhit, Kosova është e pajisur mirë për të trajtuar mosmarrëveshjet ndërmjet investitorëve të huaj.