NLB Banka dhuron pajisje mjekësore dhe medikamente për QKUK

Prishtinë, 26 mars 2021 – Duke parë kushtet e vështira dhe sfidat me të cilat po përballet Qendra Klinike Universitare e Kosovës, NLB Banka ka dhuruar pajisje mjekësore dhe medikamente në vlerë prej 19,765 €. Pjesa e parë e donacionit është dorëzuar në Dhjetor 2020 ndërsa sot janë dorëzuar dy Mikroskop Trinocular në Klinikën e Pediatrisë për repartin e Hematologjise dhe pajisje mjekësore për Klinikën e Anesteziologjisë ku trajtohen pacientët me gjendjen më të rëndë të shkaktuar nga Covid-19.

“Si Bankë, e kemi për mision të kontribuojmë në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe të rrisim ndërgjegjësimin për ata që kanë nevojë për ndihmë. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës ndaj profesionistëve të kujdesit shëndetësor të cilët punojnë vazhdimisht në kushte të vështira për të mbrojtur shëndetin tonë. Prandaj, jemi krenar për mbështetjen që i kemi ofruar Qendrës Klinike dhe Universitare në mënyrë tradicionale dhe që mund të kontribuojmë me këto pajisje mjekësore dhe medikamente në lehtësimin e punës së tyre dhe përmirësimin e shëndetit të qytetarëve të Kosovës” tha z. Albert Lumezi, Kryetari i Bordit Udhëheqës të NLB Bankës në Prishtinë.

Duke nënshkruar Parimet e Kombeve të Bashkuara për Bankë të përgjegjshme, NLB Banka është zotuar në mbështetjen aktive të zhvillimit të qëndrueshëm në shoqëri.