Oda Amerikane dhe BCC organizojnë punëtori rreth menaxhimit strategjik në kohë të krizës

Prishtinë, 10 shkurt 2021 – Planifikimi strategjik dhe parapërgatitja për t’u ballafaquar me sfida janë aspekte jetike të menaxhmentit, ndërsa, kriza e paprecedentë e shkaktuar nga shpërthimi i COVID-19, së fundmi ka theksuar nevojën që kompanitë të jenë shumë të vëmendshme në këtë aspekt. Për të diskutuar më hollësisht mbi ballafaqimin dhe tejkalimin e situatave të tilla, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Konsulentëve të Kosovës (BCC), organizuan një punëtori lidhur me menaxhimin strategjik në kohë të krizës.

Gjatë kësaj ngjarjeje, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksoi se nuk beson të ketë pasur ndonjë krizë që është përjetuar më keq se kjo e fundit e shkaktuar nga pandemia COVID-19 në aspektin e sfidave menaxheriale, derisa gjithashtu tha se e konsideron këtë sesion si të rëndësishëm për të diskutuar jo vetëm mësimet e nxjerra nga kriza, por edhe nivelin e gatishmërisë së bizneseve për t’u përballur me të njëjtën, si dhe për të parandaluar efektet më të rënda të saj.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e Këshillit të Konsulentëve të Kosovës (BCC), Jehona Lluka, foli për kontributin e shoqatës së konsulentëve menaxherial gjatë vitit 2020, derisa përmendi se në bashkëpunim me BERZH janë munduar të ofrojnë një edicion të përbërë prej 14 videove profesionale me tema që i përkasin specializimit të sektorëve, me qëllim që bizneset të përfitojnë strategjitë dhe informatat më të qarta lidhur me tejkalimin e krizës.

Paneli i ligjëruesve për këtë punëtori u përbë nga tre ekspertë të ndryshëm të fushës së konsulencës, në mesin e së cilëve, eksperti Bersant Disha, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv në kompaninë e shërbimeve financiare, Recura Financials, foli mbi aspekte të ndryshme të planifikimit të kompanive, ku si shumë të rëndësishme e cilësoi parapërgatitjen për ballafaqim me probleme, krahasuar me vendimmarrjen e atypëratyshme.

Violeta Haxhiilazi, drejtuese e zyrës në Kosovë për kompaninë e shërbimeve profesionale, Mazaars Albania & Kosovo, mes të tjerash nënvizoi rolin e rëndësishëm të këshillimit të bizneseve me konsulentë, sidomos për përshtatjen e modelit të biznesit gjatë kohërave të krizës, si dhe për shndërrimin e rrezikut në mundësi.

Ndërkaq, Hamëz Morina, bashkëthemelues dhe partner menaxhues në kompaninë e këshillit të menaxhimit, ECIKS, shtjelloi pjesën e aspekteve që kanë ndryshuar në menaxhim strategjik, duke vënë rëndësi mbi faktin se planifikimi strategjik tani është më kompleks, dhe i njëjti duhet të marrë një pamje holistike gjithpërfshirëse të performancës, duke përfshirë qëllimet afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata të kompanisë.