Oda Amerikane dhe Gjirafa organizojnë ndejë virtuale festive për përvjetorin e pavarësisë së SHBA

Prishtinë 10 korrik, 2020 – Me rastin e pavarësisë së 244-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me kompaninë anëtare Gjirafa organizuan Ndejën e Muajit të Pavarësisë, nën tingujt e këngëve amerikane të performuara nga banda muzikore String String.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka uroi të gjithë miqtë dhe partnerët e Odës Amerikane për 244 vjetorin e pavarësisë së SHBA, duke ngritur një dolli për partneritetin e qëndrueshëm në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Zeka u shpreh falënderues edhe për bashkëpunimin mes Odës Amerikane dhe kompanisë Gjirafa, fryt i së cilit kanë qenë shumë aktivitete të ndryshme të zhvilluara gjatë kësaj kohe, pavarësisht ndikimit negativ të pandemisë mbi të gjithë operatorët, bizneset dhe ekonominë në përgjithësi.

Mërgim Cahani, themelues dhe kryeshef ekzekutiv i Gjirafa theksoi rëndësinë e masave mbrojtëse kundër pandemisë dhe bëri thirrje te qytetarët dhe institucionet për ruajtjen e distancës fizike,  mbajtjen e maskave mbrojtëse dhe minimizimin e kontakteve në mënyrë që kjo situatë të kalohet sa më shpejtë dhe me pasoja minimale.

Gjatë kësaj ngjarjeje, Shkëlqesia e tij Ambasadori Amerikan në Kosovë Philip Kosnett, përmes një videoje speciale të dërguar për këtë rast, shprehu kënaqësinë e tij për vlerat e përbashkëta që Kosova ndan me Shtetet e Bashkuara, dhe potencoi rëndësinë e bashkëpunimit mes këtyre shteteve për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës.

‘’Unë e kam kaluar 4 korrikun e këtij viti duke reflektuar mbi idealet e themeluesve tanë dhe se si Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë të njëjtat vlera. Përgjatë viteve, këto vlera të përbashkëta kanë udhëhequr Shtetet e Bashkuara dhe Kosovën të qëndrojnë së bashku përballë shumë sfidave – në luftën për pavarësinë e Kosovës, pas sulmeve të 11 shtatorit dhe në luftën kundër terrorizmit global. Dhe ne po qëndrojmë së bashku përballë një pandemie globale. Në përballjen me këto sfida, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka qenë një udhëheqës i palëkundur dhe një urë-lidhëse për bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës’’ tha Ambasadori Kosnett duke rikujtuar gjithashtu rëndësinë e masave mbrojtëse kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.