Oda Amerikane dhe programi i USAID për Drejtësi Komerciale fillojnë Javën e Arbitrazhit

Prishtinë, 30 mars 2021 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe programi i USAID për Drejtësi Komerciale kanë filluar Javën e Arbitrazhit, me qëllim të promovimit të këtij procesi si një metodë e shpejtë dhe efektive për zgjidhjen alternative të kontesteve komerciale. Kjo javë do të shënohet përmes forumeve virtuale të cilat trajtojnë tema të ndryshme të lidhura me arbitrazhin, siç janë mes të tjerash financimi nga palët e treta,  arbitrazhi në vendet në zhvillim, dhe arbitrazhi me kosto të ulëta.

Ngjarja fillestare për shënimin e kësaj jave trajtoi temën e mbështetjes financiare nga palët e treta për bizneset e interesuara ta zgjedhin arbitrazhin, me një panel të përbërë nga avokatë dhe arbitra nga Kosova, SHBA-të, Britania e Madhe dhe Turqia. Kjo ngjarje u moderua nga sekretarja e përgjithshme e Qendrës së Arbitrazhit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Tea Blakaj-Hoxha.

Si pjesëtar i panelit, avokati Fisnik Salihu nga kompania RPHS Law, theksoi se në Kosovë gjykata ende e gëzon rolin primar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve komerciale, derisa ekzistojnë një mori rastesh të cilat presin për vendimmarrje nga e njëjta, si dhe kohëzgjatja mesatare për zgjidhjen e një rasti është nga tre deri në pesë vite. Sipas Salihut, përkundër faktit se komuniteti i biznesit zakonisht ka rezerva për përfshierjen e klauzolës së arbitrazhit në kontrata, kohëve të fundit është vërejtur një interesim i shtuar për këtë proces, marrë parasysh se arbitrazhi është mekanizëm shumë më i shpejtë, efektiv dhe profesional për konteste afariste në krahasim me gjykatën.

Ndërsa, avokati Taulant Hodaj nga Hodaj&Partners, u shpreh se në përgjithësi arbitrazhi i ndihmon sistemit të Kosovës dhe i njëjti duhet të promovohet sa më shumë që është e mundur.  Megjithëse sipas Hodajt praktika e arbitrazhit është ende e re në vend, përfitimet nga ky mekanizëm janë të shumëta, sidomos duke e marrë parasysh faktin se arbitrat janë profesionistë dhe njohës të çështjeve përkatëse, dhe nuk janë gjyqtarë të përgjithshëm.

Pjesë e këtij paneli ishte edhe Ayse Lowa, drejtoreshë në njërën nga kompanitë  më të mëdha të financimit të çështjeve gjyqësore në Londër, Bench Walk Advisors, e cila foli mbi aspektet e ndryshme të financimit nga palët e treta, ku nënvizoi se përdorimi i këtij të fundit është në rritje veçanërisht në rastet e arbitrazhit. Lowa e cilësoi financimin nga palët e treta si një mundësi shumë të rëndësishme, e cila u mundëson të gjithëve qasje në drejtësi.

Në anën tjetër, edhe avokati Orçun Çetinkaya nga kompania ligjore Cetinkaya në Turqi, foli mbi zhvillimin e arbitrazhit në këtë shtet, ku specifikoi se arbitrazhi është një metodë shumë efikase dhe e shpejtë në krahasim me gjykatën. Sipas tij, në këtë vend i njëjti përdoret në numër të madh nga kompanitë në disa sektorë, siç janë ai i energjisë, infrastrukturës dhe ndërtimtarisë, derisa ekziston nevojë për promovim më të madh të arbitrazhit tek sektorët e tjerë.

Për fund, Jason Emert, avokat dhe president në kompaninë amerikane Emert Group arbitër në Qendrën e Arbitrazhit të Odës Amerikane, ritheksoi përfitimet nga procesi i arbitrazhit për zgjidhjen e kontesteve komerciale, si dhe rëndësinë e financimit nga palët e treta për kostot e arbitrazhit.