Prishtinë, 30 gusht 2020 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës mbajtën ceremoninë e zbulimit të bustit të mikut të shqiptarëve, ish senatorit amerikan Bob Dole, në shenjë mirënjohjeje për punën e tij të palodhshme dhe rolin e tij në pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Ky bust i punuar me përkushtim nga skulptori Luan Mulliqi dhe i financuar bashkërisht nga Oda Ekonomike Amerikane, anëtarët e saj dhe Qeveria e Republikës së Kosovës është dhuratë për qytetarët e Prishtinës e të Kosovës, por mbi të gjitha është simbol i të kaluarës së Kosovës dhe arritjeve të saj përgjatë këtyre tri dekadave.
Gjatë kësaj ceremonie, Senatori Bob Dole iu adresua popullit të Kosovës me një video mesazh përmes të cilit shprehu mirënjohjen e tij për dedikimin e bustit, duke shtuar se është punuar bashkërisht për 30 vite për ta bërë Kosovën një shtet të fuqishëm dhe demokratik, derisa shprehu besimin e tij që Kosova të vazhdojë të fuqizohet më tej me kalimin e viteve.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, theksoi se është nder i veçantë për Odën Amerikane të jetë pjesë e këtij aktiviteti mirënjohës për punën dhe kontributin e ish Senatorit Bob Dole, i cili është një hero i veçantë në Kosovë. Ai tha se jehona e vizitës së Senatori Dole dhe gjashtë senatorëve të tjerë tridhjetë vite më parë në Kosovë, i dha drejtim tjetër rrugëtimit të Kosovës drejt çlirimit, pavarësisë, dhe hapjes së mundësive për ndërtimin e një shteti demokratik.
“Busti është edhe rikujtim i përgjegjësisë për ne dhe gjeneratat pas nesh për të kujtuar dhe shprehur mirënjohjen tonë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin e tyre të vazhdueshëm në procesin e krijimit dhe fuqizimit të shtetit të Kosovës,” theksoi Zeka.
Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, u shpreh i nderuar të jetë pjesë e këtij momenti historik. Ai theksoi se veprimtaria e ish senatorit Dole për Kosovën ka shërbyer si gurthemel i vendosjes së shtetësisë së vendit, ndërsa cilësoi se vendosja e këtij busti do të shërbejë si pikë mësimi për historinë e ndërtimit të miqësisë ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij amerikan për gjeneratat e reja.
“Senatori Bob Dole është ndër personat e parë zyrtar të lartë që ka vizituar Kosovën dhe presidentin Rugova në ditët më të vështira kur është vendosur gurthemeli i shtetit të Kosovës dhe miqësisë së përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,’’ tha Kryeministri Hoti.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Shkëlqesia e tij Philip Kosnett, theksoi se ndihet i privilegjuar të jetë pjesë e kësaj ngjarjeje historike. Derisa falënderoi ata që e kanë bërë të mundur këtë ditë, Ambasadori Kosnett tha se me vendosjen e kësaj shtatoreje po shënohet edhe jeta e një heroi amerikan dhe një miku të Kosovës. Ambasadori gjithashtu potencoi se Bob Dole ka qenë prijës për promovimin e kauzës së lirisë nëpër tërë botën, dhe se vizita e Senatorit Dole para tridhjetë viteve i ka hapur sytë bashkësisë ndërkombëtare për abuzimin e vazhdueshëm të të drejtave të njeriut që po ndodhnin në Kosovë.
“Sot po e kremtojmë jetën e një prijësi, guximi dhe përkushtimi personal i të cilit për kauzën e lirisë ka frymëzuar aq gjatë popullin e Shteteve të Bashkuara, të Kosovës dhe miqve nëpër botë’’ tha Ambasadori Kosnett.
Edhe veprimtarët shqiptarë në Amerikë, biznesmeni dhe aktivisti Jim Xhema, kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra” Elmi Berisha, dhe aktivisti shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari, folën në këtë ceremoni përmes video mesazheve, duke ngritur lartë veprën e ish senatorit Bob Dole.
Përveç Odës Ekonomike Amerikane dhe Qeverisë së Kosovës, në ndërtimin e bustit kontribuan edhe kompanitë kosovare KIVO, Tregtia, Meridian Corporation, ELKOS, Devolli Corporation, Mabetex, Emona, Al-Petrol, NLB Banka, Al Trade Center dhe Klinika Amerikane.