Oda Amerikane organizon diskutim pas aprovimit të Ligjit për Investime Strategjike

Prishtinë, 15 shkurt 2017 – Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka thënë se kompanitë më kredibile të cilat kanë dashur të investojnë në Kosovë, janë tërhequr për shkak të zgjatjes së procedurave të ndryshme, ndërsa, Kosova duhet të jetë shumë më atraktive në mënyrë që të krijojë edhe kushte në tërheqjen e investitorëve të huaj.

Ministrja Bajrami i bëri këto komente në tryezën me temë “Ligji për Investimet Strategjike – Diskutim pas aprovimit”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Kjo ngjarje u organizua pas vendimit të GJykatës Kushtetuese që konfirmon se Ligji për Investime Strategjike nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Ajo tha se Qeveria përmes këtij ligji do ta rrit transparencën në nivel më të lartë.

“Ligji para së gjithash u jep mundësi të njëjta edhe investitorëve të vendit edhe investitorëve të huaj dhe ka procedura shumë strikte për t’u kualifikuar si investitorë strategjikë”, tha Ministri Bajrami.

Ajo theksoi se sektorët të cilët janë klasifikuar si strategjikë me këtë ligj janë, energjia, infrastruktura dhe minierat me investim minimal prej milionë eurosh, transporti-telekomunikacioni me investimin minimal prej 30 milionë, turizmi me investimin minimal prej 20 milionë, industria përpunuese me investimin minimal prej 20 milionë, bujqësia dhe industria ushqimore me investimin minimal prej 10 milionë, shëndetësia me investimin minimal prej 30 milionë, parqet industriale dhe teknologjia me investimin minimal prej 10 milionë, si dhe administrimi i ujërave të zeza me investimin minimal prej 10 milionë.

Nën anën tjetër, Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka theksuar se kanë kërkuar gjithmonë që të ketë fleksibilitet më të madh në negocimin e investitorëve potencialë strategjikë dhe Qeverisë.

Anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë paten mundësinë të adresojnë pyetjet e tyre përkitazi me Ligjin dhe përfitimet që dalin nga ai për investitorët potencialë strategjikë.

You must be logged in to post a comment.