Oda Amerikane organizon Gala Darkën e Bamirësisë

Prishtinë, 9 dhjetor 2022 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi Gala Darkën të Bamirësisë, një organizim tradicional në të cilin këtë vit morën pjesë 417 persona. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, mbajti fjalimin kryesor, duke falënderuar mes tjerash kompanitë për donacionet gjeneroze në mbështetje të kauzave të përzgjedhura këtë vit nga Oda Amerikane. Në mesin e mysafirëve të veçantë ishin edhe Zëvendësshefja e Misionit të Ambasadës amerikane në Prishtinë, Alyson Grunder, Shefi i Seksionit Ekonomik dhe Politik të Ambasadës Rallan Hill, Shefi i Zyrës së Rritjes Ekonomike të USAID Joshua Mike, si dhe drejtori ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri Neritan Mullaj. Gjatë darkës u organizua një mini koncert nga një ansambël i harqeve, ndërsa për performancën kryesore artistike edhe këtë herë u përkujdes grupi String String. Gala Darka e këtij e viti ishte e para pas dy viteve ndërprerje për shkak të pandemisë COVID19 dhe u mbajt në Klan Arena.

Tri organizata do të përfitojnë të ardhurat neto nga aktiviteti i këtij viti për mbledhjen e fondeve, me 50% fondeve që do të shkojnë për Fondin Amerikano-Kosovar të Edukimit (KAEF), 30% të fondeve të cilat do t’u ndahen fëmijëve të vendosur në Fshatin SOS dhe 20% mjeteve të cilat do t’i ndahen linjës telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve “Linja e Jetës”, e cila përballet me vështirësi në vazhdimin e operacioneve të saj.

Oda Amerikane përgatiti mirënjohje të veçantë për sponsorët platinë: Banka Ekonomike, Elkos Group, Devolli Corporation, Meridian Corporation dhe Scardian, si dhe sponsorët e artë Banka Kombëtare Tregtare, FINCA, Bodrumi i Vjetër dhe Limak – Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Ndërsa për përkrahjen e tyre u falënderuan edhe sponsorët e argjendtë: Coca Cola HBC, Frutex/Golden Eagle, Gjirafa, NLB Banka, ProCredit Bank dhe Sharrcem, por edhe sponsorët e rregulltë, American School of Kosova, AnchorzUP, ArtHouse, ASHA, Deloitte, Interex, KEP Trust, KFC, Orbico, Paketos, PBC, Railtrans, Swiss Diamond dhe Tafingo.