Oda Amerikane organizon një diskutim me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës

Prishtinë, 7 korrik 2023 – Oda Amerikane organizoi një bisedë me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës duke u thelluar në tema kritike që lidhen me procedurat doganore, lehtësimin e tregtisë my synim të krijimit të një mjedisi të favorshëm biznesi në vendin tonë.

Ky diskutim ishte në frymën e zhvillimit të dialogut ndërmjet Doganës dhe përfaqësuesve të sektorit privat. Pjesëmarrësit fituan njohuri të vlefshme për rregulloret doganore, zgjidhjet inovative dhe qasjet bashkëpunuese për të përmirësuar tregtinë ndërkufitare dhe për të rritur efikasitetin.

Në takim u diskutua për mbrojtjen e pronësisë industriale, klasifikimin dhe vlerësimin e mallrave, fuqizimin e dialogut në mes sektorit privat-autoritet doganor. Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu tha se synimi i zyrtarëve doganorë është trajtimi i barabartë i të gjithëve dhe pavarësisht problemeve të krijuara dhe vështirësive me të cilat ata mund të përballen, Dogana po përpiqet të jetë në krahë të bizneseve dhe se nuk kanë për qëllim ndëshkimin e tyre apo vështirësimin e punës së tyre. Ai shprehu se së shpejti me legjislacionin e ri, do të rikthehet Bordi për Shqyrtimin e ankesave, i cili do të lehtësojë trajtimin e ankesave të bizneseve.

Gjatë sesionit interaktiv, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë sfidat dhe mundësitë kryesore që lidhen me procedurat doganore dhe pajtueshmërinë.

Në bashkëbisedim ishin pjesëmarrës edhe Blerim Krasniqi, udhëheqës i Departamentit Përkrahës së Drejtorisë Operative te Kufirit dhe Besa Fonda, udhëhqese e Njësitit për Procedimin e Kërkesave dhe  Mbikëqyrjeve, të cilët ishin të hapur ndaj ankesave dhe shqetësimeve të paraqitura nga bizneset dhe shprehën bashkëpunim në zgjidhjen e tyre.