Oda Amerikane organizon një tryezë diskutimi për politikat fiskale dhe luftimin e ekonomisë joformale

Prishtinë, 6 korrik 2023 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi sot një tryezë diskutimi mjaft të detajuar dhe produktive, me pjesëmarrjen e drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës. Ky aktivitet ofroi një mundësi diskutimi për politikat fiskale, përfshirë edhe nismat ligjore që lidhen me to si dhe luftën kundër ekonomisë joformale.

Menaxheri i tatimeve në Deloitte, njëkohësisht krysues i Komitetit të Tatimeve të Odës Amerikane, Ruzhdi Zenelaj përmendi disa pika që i konsideroi si më problematike për politikat fiskale. Ai diskutoi për inkurajim të tatimpaguesve. Ai theksoi nevojën e përfshirjes më të madhe të profesionistëve në hartimin e legjislacionit. Të ketë qartësi në legjislacion, të mos jenë me dykuptimësi dhe ndër të tjerash theksoi se duhet të bëhet sistemi nga administrata tatimore për shitjet online, të lëshohet faturë elektronike, duke përmendur vendet e rajonit që suksesshëm zbatojnë praktika të tilla.

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj diskutoi për ekonominë joformale dhe përpjekjet që po bëhen për zvogëlimin e saj duke theksuar se bazamenti i joformalitetit është moslëshimi i kuponit fiskal. “Ne kemi marrë masa të reja. Do të praktikohen ndëshkime në tri vërejtje për moslëshim të kuponit fiskal. Vërejtja e parë do të jetë mbyllja e lokalit për tri ditë,pastaj për pesëmbëdhjetë ditë dhe në vërejtjen e tretë do të ndëshkohen me mbyllje të biznesit” tha ai.

Murtezaj gjithashtu bëri thirrje që të raportohen te hyrat dhe shpreson në vetëreagim ndaj kësaj çështjeje. Ai ftoi bizneset të jenë bashkëpunuese me Administratën Tatimore për luftimin e ekonomisë joformale, duke ditur që edhe ata vetë ndikohen nga kjo.

Në fund, Qëndrim Uka, konsulenti tatimor nga Ernst & Young, gjithashtu anëtar i komitetit tatimor në Odën Amerikane, foli për rëndësinë e avancimit të legjislacionit tatimor dhe të atij që rregullon punën e Administratës Tatimore. Ai foli edhe për rëndësinë e kompensimit të mirëfilltë të zyrtarëve të ATK-së ashtu që ata të bëjnë punën e tyre me integritet dhe përkushtim.