Oda Amerikane përmbyll aktivitetet e javës së vajzave në TIK

Prishtinë, 28 prill 2022 – 28 prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në TIK. Në këtë ditë është e rëndësishme të vlerësojmë rëndësinë e diversitetit gjinor dhe të kuptojmë se prania e  diversitetit sjell inovacion, kreativitet dhe cilësi. Përfshirja e grave dhe vajzave në sektorin e TIK ishte tema me të cilën Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmbylli aktivitetet e saj në kuadër të javës së vajzave në TIK.

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës Donjeta Sahatçiu tha se ka qenë e rëndësishme që këtë herë Komuna e Prishtinës të shërbejë si shtëpi që bashkon shumë organizata me qëllim të mbështetjes të vajzave në këtë sektor, duke i lejuar ato të konsiderojnë TIK-un si mundësi të mirë për një karrierë. Më tutje, ajo theksoi se është e rëndësishme që në moshë të re të provohet dhe eksperimentohet me secilën fushë. “Si komunë, për ne ka qenë shumë e rëndësishme që për herë të parë të bashkohemi për të ngritur zërin duke lejuar më shumë vajza dhe djem të konsiderojnë TIK-un si karrierë që mund të zgjedhin për të ardhmen. Jam shumë e lumtur që për një kohë të shkurtër arritëm të mblidhemi dhe t’i organizojmë këto aktivitete”, tha Sahatçiu.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se për një kohë të gjatë fusha e TIK është perceptuar si profesion i përshtatshëm vetëm për meshkuj. “Dekada më herët është paragjykuar se ky profesion është vetëm për meshkuj. Por, kjo qasje ka ndryshuar duke ditur faktin që tani edhe femrat punojnë në sektorin e TIK”, tha Zeka.

Drejtoresha e Shitjes, Marketingut dhe Operacioneve në kompaninë UCX, njëherit edhe Sekretare e Përgjithshme e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Jeta Zagragja tha se kjo është një industri që me dinamizmin dhe kaosin e saj ofron mundësi të zgjidhjes së problemeve dhe se është e rëndësishme të fillohet në moshë të hershme për t’u mbjellë farat e duhura.  “Duke qenë vetvetja dhe duke pasur disiplinë në vendin e punës, mund të arrini çdo herë atë që dëshironi. Ne gratë nuk kemi nevojë për ndihmë dhe nuk kemi nevojë që të na krijohen mundësi, sepse ne ia dalim vetë, dhe ne krijojmë mundësitë tona duke punuar shumë”, tha Zagragja.

Fjolla Restelica, Udhëheqëse e Njësisë së Implementimit të Projekteve (PIU) në Projektin KODE, Ministria e Ekonomisë tha se viteve të fundit janë shtuar mundësitë për vajzat në TIK dhe këtë e tregon edhe rritja e pjesëmarrjes së vajzave në këtë sektor. Ajo u tha nxënëseve të pranishme se në këtë profesion kureshtja dhe gatishmëria për të mësuar në vazhdimësi janë shumë të rëndësishme.

Gjatë javës së vajzave në TIK, në aktivitetet e Odës Amerikane ishin 17 folëse dhe profesioniste të këtij sektori, të cilat diskutuan për sfidat që ato kanë hasur, si dhe për mundësitë e shumta që ky sektor i ofron. Në aktivitet e kësaj jave të Odës Amerikane morën pjesë Abetare Gojani (IPKO Foundation), Ylberina Mala (Eksperte e edukimit jo-formal), Liridona Gërxhaliu (Sonnecto), Zana Curri (Radix), Shpresa Kika (Sutherland), Drenusha Ymeri (Litera), Iliriana Ibraj (LinkPlus), Rrezarta Pllana (Cacttus Education), Liridona Syla (Kutia), Naxhije Pajaziti Arifaj (KEDS), Greta Kamberi (Gjirafa), Qëndresa Mehmeti (Kolegji AAB), Verona Selmani (PBC), Leonida Ismaili (Eneldat), dhe Saranda Sefedini (Incodeks).