Oda Amerikane shënon Ditën e Tokës

Prishtinë, 22 prill 2022 – Me qëllim të përmirësimit të mjedisit dhe ngritjes së vetëdijes së përgjithshme sociale të korporatave dhe individëve për çështjet mjedisore, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në koordinim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka lansuar iniciativën e mbjelljes së drunjve përgjatë autostradave të Kosovës.

Aktiviteti i parë simbolik është lansuar në Ditën e Tokës me mbjelljen e drunjve dhe luleve në rrethrrotullimin në hyrje të qytetit të Prishtinës, ndërsa është përkrahur edhe nga kompania anëtare Kutia.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se me këtë aktivitet synohet gjelbërimi i hapësirave përgjatë autostradave. Ai tha “ka shumë aktivitete ku jemi të përfshirë në gjithë territorin e Kosovës, dhe edhe ne si ministri jemi shpërndarë në terren. Ky sot është aktivitet i përbashkët me Odën Amerikane për mbjelljen e drunjve, në mënyrë që të gjelbërohet dhe të duken hapësirat më bukur. Përgjatë autostradave, ku kemi hapësira, synojmë t’i gjelbërojmë dhe të mbjellim drunj”, tha Durmishi.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se me mbjelljen e drunjve dhe luleve, kontribuojnë në zbukurimin e qytetit dhe në përmirësimin e mjedisit. “Ideja ka qenë se përgjatë autostradave të bëhet mbjellja e drunjve dhe luleve që të zbukurohet dhe të kontribuojmë në përmirësimin e mjedisit”, tha Zeka.