Oda Amerikane vlerëson pozitivisht aprovimin e Projektligjit për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike

Prishtinë, 28 shtator 2020 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret aprovimin e sotëm nga ana e Qeverisë të Projektligjit për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike.

Komiteti i Ekonomisë Digjitale i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë përgjatë viteve ka argumentuar nevojën e hartimit të kornizës së duhur ligjore, i cili përveç se do t’i kontribuonte zhvillimit të ekonomisë digjitale, e gjithashtu do të zvogëlonte edhe barrën administrative për transaksione elektronike me palë.

Po ashtu, Projektligji në fjalë do të ndikojë edhe në rritjen e efikasitetit të proceseve të biznesit duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme kostot, ndërsa bashkë me rritjen e sigurisë në transaksionet elektronike do t’u ofronte bizneseve një bazë më të madhe të konsumatorëve.

Në fund, Oda Ekonomike Amerikane shpreh besimin e saj që edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës do të aprovojë në kohë të shpejtë Projektligjin për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike.