Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë feston 18 vjetorin e punës ndaj komunitetit të biznesit

Më 24 mars Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë festoi 18 vjet të përkushtimit, punës së palodhur dhe këmbënguljes. Gjatë gjithë këtyre viteve, Oda Amerikane, së bashku me anëtarët e saj, i është përkushtuar përmirësimit të mjedisit të biznesit në Kosovë dhe krijimit të mundësive për ndërmarrësit e rinj dhe ideve të reja.

Jeffrey M. Hovenier, ambasador i SHBA-së në Kosovë, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në Festën e Odës Amerikane, tha se gjatë 18 viteve të fundit, Oda Amerikane ka krijuar reputacionin e saj si një shtyllë e pazëvendësueshme e komunitetit të biznesit. Ai theksoi rëndësinë kritike të organizatave si Oda Amerikane në avokimin e nevojave të sektorit privat dhe që institucionet qeveritare ta kenë parasysh këtë avokim. Më tej, ai tha se sektori privat është shtytësi kryesor i rritjes ekonomike.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e përvjetorit të Odës Amerikane, ku tha se komuniteti i fuqishëm i biznesit të Kosovës nga diaspora, krahas pozitës unike gjeografike, e bën vendin tonë të përshtatshëm për të qenë një qendër e ardhshme për lehtësimin e prodhimit dhe përpunimit të produkteve si dhe ofrimin e shërbimeve. “Vizioni ynë afatgjatë është të bëjmë Kosovën vendin më prosperues në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai. Ai shtoi se Qeveria dëshiron ta përmbushë këtë vizion dhe të avancojë sektorin privat duke bashkëpunuar me të gjitha Odat si dhe me kompanitë e vullnetit të mirë vendas dhe të huaj.

Afrore Rudi, kryetare e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, tha se marrëdhënia profesionale e Odës Amerikane dhe anëtarëve të saj është çelësi për forcimin e zhvillimit të sektorit privat. Ajo vazhdoi duke thënë se është një krenari e madhe që 18 vjet më vonë Oda Amerikane vazhdon të mbetet e suksesshme, duke përqafuar gjithmonë vlerat e mira të organizatës.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se Oda Amerikane e Kosovës është renditur në mesin e 10 organizatave më aktive dhe më të mëdha në mesin e 46 Odave Amerikane në Evropë. “Ne përpiqemi të sjellim vazhdimisht aktivitete të reja dhe të prezantojmë qasje inovative, por ajo që mbetet e pandryshuar është përkushtimi dhe pasioni ynë për të ju shërbyer”, u tha anëtarëve të pranishëm.