Oda Ekonomike Amerikane nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me EEN Kosova

Prishtinë, 17 korrik 2020 – Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka dhe Drejtori i Rrjetit Evropian të Ndërmarrjeve në Kosovë Ahmet Jetullahu nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi i cili synon krijimin e bashkëpunimit për zbatim të aktiviteteve specifike që lidhen me EEN Kosovo gjatë viteve 2020-2021.

Gjatë një takimi virtual të organizuar nga Oda Amerikane dhe përfaqësuesit e EEN Kosovo, anëtarët e Odës Amerikane u njoftuan mbi procesin e anëtarësimit në këtë rrjet të ndërmarrjeve dhe mundësitë të cilat ofrohen për zhvillimin, fuqizimin dhe promovimin e tyre drejt krijimit të partneriteteve me ndërmarrje të huaja të cilat operojnë në kuadër të këtij rrjeti brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Përmes Memorandumit të Mirëkuptimit, bizneset anëtare të Odës Ekonomike Amerikane do të gëzojnë mbështetje nga EEN Kosovo rreth krijimit të profilit të tyre në platformën EEN, drejt thirrjeve për grantet COSME si dhe mundësive të tjera të cilat krijohen për bizneset anëtare të këtij rrjeti si ndërkombëtarizimi, inovacioni, promovimi i eksportit etj.

Republika e Kosovës është bërë pjesë e Rrjetit Evropian të Ndërmarrjeve në muajin maj të këtij viti përmes një marrëveshjeje me Agjencinë Ekzekutive për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (EASME) në kuadër të Programit COSME për vitet 2020-2021.