Oda Ekonomike Amerikane përmbyll Konferencën e katërt të Lidershipit të Kosovës

Prishtinë, 30 maj, 2023 – Për të katërtin vit me radhë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Fondacionin e Lidershipit të Kosovës dhe Universitetin James Madison organizuan Konferencën e Lidershipit të Kosovës. Kjo konferencë mblodhi së bashku njerëz frymëzues nga i gjithë rajoni, liderë të shquar të industrisë dhe diskutime të shkëlqyera mbi temat më të rëndësishme e aktuale.

Folësi i parë që në skenë ishte Ahmet Shala, përfaqësues i Fondacionit Kosovar për Lidership, i cili ndau rrugëtimin e tij të gjatë dhe frymëzues drejt lidershipit të suksesshëm. Ai tha se një ndër qëllimet dhe objektivat kryesore të Fondacionit është promovimi i Kosovës dhe të gjitha mundësive që ky vend ka për të ofruar. Sipas tij, përtej lidershipit, një tjetër gjë shumë e rëndësishme në jetën e secilit është krijimi i miqësive që tejkalojnë njohjet dhe ngjajnë me krahët e fortë që lejojnë zogjtë të fluturojnë lirshëm nëpër një qiell të hapur.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka kishte një histori të ngjashme për të ndarë, duke theksuar rëndësinë e lidershipit të fortë si një domosdoshmëri për arritjen e paqes dhe prosperitetit në Kosovë, Ballkan dhe Evropën Juglindore. Sipas Zekës, liderët duhet të kenë vizion, guxim dhe vendosmëri për t’u përballur me të gjitha sfidat, pasi lidershipi i fortë është vendimtar për sigurimin e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e një mjedisi për investime.

E nderuara zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Redžepi gjatë fjalimit hyrës tha se paqja e qëndrueshme arrihet vetëm përmes drejtësisë, gjithëpërfshirjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, pa të cilat nuk mund të krijohet një shoqëri në të cilën çdo individ ndihet i sigurt dhe i respektuar. Redžepi shtoi gjithashtu se Kosova multietnike nuk duhet të ekzistojë vetëm në letër, por duhet bërë gjithçka që është në fuqinë tonë për të siguruar që ligjet të respektohen në të gjitha institucionet.

Pas zëvendëskryeministres Redzepi, fjalën e mori kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, i cili deklaroi se ne si popull kemi përgjegjësi kolektive për të promovuar paqen. Duke qëndruar në temën e lidershipit kryetari Rama gjithashtu tha se lidershipi është thelbësor sepse shërben si një mjet i fuqishëm që i bashkon njerëzit, dhe përmes lidershipit ne bëjmë ndryshimin e duhur dhe ecim përpara drejt vizionit tonë të përbashkët.

Duke nxjerrë shembuj nga liderë të shquar të historisë si ish-presidenti i SHBA-së Abraham Lincoln, deputetja Doarsa Kica-Xhelili, deklaroi se lidershipi është çështje shpirti, mendjeje dhe zemre. Më tej ajo shtoi se do të dëshironte që në të ardhmen të shihte një ndjenjë tjetër të lidershipit, një ndjenjë për të bërë gjëra që do ta ndihmonin vërtet vendin në planin afatgjatë, edhe nëse këto veprime priten me frikë e kundërshtim.

Duke i dhënë fund vargut të gjatë dhe frymëzues të folësve, ish kongresmeni dhe ambasadori amerikan Tony P. Hall preku temën e lidershipit duke ndarë udhëtimin e tij me pjesëmarrësit. Sipas tij, aspekti shpirtëror është po aq i rëndësishëm ndërsa lutjet dhe lidhjet njerëzore me të gjithë individët pavarësisht shtresës sociale apo dallimeve të tjera bëjnë një ndryshim mjaft pozitiv.

Konferenca vazhdoi me diskutime të mrekullueshme në panel, duke prekur tema të tilla si kultura, arsimi dhe sporti, si dhe roli i sigurisë kibernetike dhe transformimi dixhital në paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.