OEAK dhe OEK priten nga drejtuesit e korporatës DFC në Uashington

Uashington, 21 tetor 2020 – Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi janë takuar në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me drejtuesit e lartë të Korporatës Financiare Zhvillimore (DFC) të Shteteve të Bashkuara te Amerikës.

Në takim me nënkryetarin ekzekutiv për strategji, Edward Burrier, këshilltarin e kryeshefit ekzekutiv të Korporatës DFC, Caleb McCarry, dhe me shefin e stafit, Stewart Ackerly, drejtuesit e dy odave ekonomike biseduan për nevojat e sektorit privat në Kosovë, si dhe sektorët me potencial zhvillimor, të cilët do të mund të përfitonin nga instrumentet mbështetëse të Korporatës DFC.

Zeka dhe Rukiqi theksuan edhe nevojën e angazhimit më të shpejtë të qeverive në Kosovë dhe në Serbi për zbatimin e zotimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit, si dhe rolin që odat ekonomike nacionale dhe ato amerikane në Kosovë dhe në Serbi mund të luajnë në asistimin e qeverive për zbatimin e pikave të marrëveshjes.

Diskutimi u fokusua edhe në çështjet e lidhura me energjinë dhe nevojën e rritjes së sigurimit të furnizimit në Kosovë si parakusht për zhvillim ekonomik.