Pandemia përshpejton proceset e integrimit të teknologjisë në sistemet arsimore

Prishtinë, 23 tetor 2020 – Përveç ndalimit të zhvillimit të aktiviteteve ekonomike, pandemia COVID-19 ka krijuar çrregullime të mëdha edhe në sistemin arsimor në Kosovë, gjë që mund të ndikojë edhe në tregun e punës si pjesë kyçe e ekonomisë në të ardhmen e afërt. Digjitalizimi i këtij sektori, sfidat e ndryshme në mësimdhënie dhe mësim-nxënie, si dhe ndikimi i përgjithshëm i pandemisë në nivelet e ndryshme të arsimit u diskutuan mes tjerash gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi edukimin në përballje me pandeminë.

Gjeni Shporta, përfaqësues i Kosovës në American Councils for International Education, dhe anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, njëherit edhe moderator i këtij forumi, theksoi rëndësinë e arsimit si e drejtë themelore e njeriut, derisa shtoi se çdo situatë që qon në kolapsin e edukimit do të stagnojë avancimin e njerëzimit, prandaj kjo çështje duhet të trajtohet me kujdes të shtuar.

Visar Jasiqi, zyrtar kryesor për zhvillim në RIT Kosovo, ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e këtij institucioni gjatë kësaj kohe, ku veçoi se në kuadër të planit të emergjencave, RIT u angazhua jo vetëm për ri-shkathtësimin e stafit akademik për ligjërim online por edhe për organizimin e punëtorive për studentët, në mënyrë që të njëjtit të adaptohen më lehtë me procedurat e reja të mësim-nxënies. Jasiqi cilësoi se utilizimi i platformave të ndryshme digjitale ka lehtësuar shumë procesin e mësimit dhe testimit në distancë.  Sipas tij, një përfitim pozitiv nga kjo situatë ka qenë mundësia për të ndryshuar proceset e arsimit përmes përdorimit të gjerë të teknologjisë, duke ofruar mundësi të reja për Kosovën për tërheqjen e studentëve edhe nga vendet e tjera.

Vildane Kelmendi, drejtoreshë e programit në Cacttus Education tha se ky institucion ka marrë masat e duhura për mbajtjen e mësimit nga distanca duke përdorur platforma digjitale të cilat mundësojnë regjistrimin e ligjëratave, duke krijuar kështu mundësinë që studentët të i qasen atyre në çfarëdo kohe. Kelmendi theksoi se si rrjedhojë e mbylljes së përkohshme të vendeve të punës dhe hapësirave publike, është parë një rritje pozitive e përkushtimit ndaj arsimit, gjë që ka sjellë rezultate më të larta të studentëve. Tutje, ajo tha se proceset e mësimdhënies pas lirimit të masave kundër pandemisë në Cacttus Education po mbahen në mënyrë të kombinuar, në përputhje të plotë me udhëzimet nga institucionet shëndetësore për ruajtjen e mirëqenies dhe shëndetit kolektiv.

Shemsedin Vehapi, zëvendës rektor në Kolegjin AAB, theksoi se marrë parasysh numrin e studentëve dhe programeve arsimore që ky kolegj ofron, pandemia ka nxitur transformimin e proceseve klasike arsimore në digjitale, si dhe inkorporimin e inovacionit. Ai po ashtu tha se disa nga masat e marra për të siguruar vazhdimësinë e mësimit janë bërë të mundura falë zhvillimit paraprak të teknologjisë dhe platformës së brendshme ekzistuese në AAB. Vehapi shtoi se niveli i lartë i arsimit është më lehtë i adaptueshëm ndaj sfidave të tilla duke thënë se vështirësitë më të mëdha i kanë hasur nivelet më të ulëta të arsimit pasi që sipas tij, ndërveprimi dinamik brenda klasës është tejet i rëndësishëm, por tashmë pothuajse i pamundur nga distanca.

Ilirjana Imami, drejtoreshë e shkollës së mesme në American School of Kosovo (ASK) tha se megjithëse kjo periudhë ka qenë sfiduese, ASK veçse ka qenë në proces të integrimit të teknologjisë në mësimdhënie shumë kohë më parë. Imami gjithashtu tha se transferimi i procesit të mësimdhënies klasike në atë nga distanca, ka sjellë nevojën për reformim të metodave të mësimdhënies dhe testimit në mënyrë që nxënësit të zhvillojnë sa më shumë mendimin kritik dhe aplikimin e njohurive të marra gjatë mësimit.  Ajo shtoi se tashmë janë hartuar plane për situata të tilla si kjo e pandemisë, dhe proceset e mësimit po vazhdojnë duke iu përshtatur realitetit të ri.