Pandemia COVID19 afekton konsumin dhe importet

Prishtinë, 17 prill 2020 – COVID19 ka ndikuar domosdoshmërisht në rënien drastike të importit për 40%, dhe në rënien e dukshme të konsumit tek qytetarët, e cila ndikon jo vetëm bizneset por edhe të hyrat shtetërore. Kjo u konkludua sot nga një forum virtual i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi gjendjen e konsumit pas ndikimit të pandemisë.

Bashkim Arifi, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe Kufirit në Doganën e Kosovës, theksoi se sa i përket trendit të importit, statistikat brenda Doganës tregojnë se në periudhën krahasuese të javëve të para të prillit 2020, me ato të 2019 rezulton një trend rënës i importeve në përgjithësi. Ndërkaq,  nëse merren parasysh produktet esenciale, të cilat janë pjesë e marrëveshjes së korridorit të gjelbër për tregti të lirë krijuar së fundmi në rajon me koordinim nga CEFTA, trendi është rritës. Arifi u shpreh se importi i produkteve esenciale, me theks të veçantë tek gruri dhe mielli ka qenë enorm gjatë kësaj kohe. Sipas tij, partnerë kryesor të Kosovës në kontekstin e importeve janë Turqia dhe Gjermania, ndërsa Serbia qëndron në vendin e 12-të. Për më tepër, Arifi përmendi se Dogana e Kosovës ka përdorur metodat më optimale në mënyrë që furnizimi sidomos me mallra esenciale të jetë i qëndrueshëm.

Hakif Gashi, Pronar në Meridian Corporation potencoi se si pasojë e indikatorëve të ndryshëm që janë shfaqur pas paraqitjes së pandemisë, statistikat dëshmojnë një rënie të dukshme të konsumit. Ai theksoi se paniku dhe pasiguritë dita ditës po vazhdojnë të tkurrin konsumin e përditshëm të qytetarëve, ndërsa mbyllja e aktiviteteve të shumëta ekonomike dhe rrjedhimisht rritja e papunësisë, po i orientojnë blerjet kryesisht në produkte esenciale. Sipas Gashit, nëse flitet në përqindje, konsumi ka rënë afërsisht 50% për produktet ushqimore, ndërsa 70% për produktet e luksit. Gashi tha se injektimet e parasë në ekonomi janë kyçe në këtë kohë, dhe ato nuk duhet të fokusohen vetëm në mbijetesë, por në motivim për konsum normal.

Dardan Shala, Kryeshef Ekzekutiv në M&Sillosi përmendi panikën e qytetarëve për furnizim me produkte esenciale, e me theks të shtuar me miell në ditët e para të kësaj krize, gjersa theksoi se ajo kohë ishte mjaft sfiduese për industrinë e prodhimit të miellit. Sipas tij, problemet e ndryshme që u shfaqën kishin të bënin inicialisht me varësinë nga importi, e rrjedhimisht me njoftimin për heqjen e taksës nga Serbia, i cili e kushtëzoi këtë industri të mbante stoqe sa më të vogla. Gjatë kohës kur kërkesa ishte enorme, Shala potencoi se të hyrat ishin të mëdha për këtë industri, mirëpo njejtë ishin edhe kostot e sigurimit të atyre sasive përderisa u ngrit çmimi për lëndën e parë, ambalazhimin dhe transportimin. Sipas Shalës, si rrjedhojë e krijimit të rezervave shumë të mëdha nga qytetarët, kjo industri tash do të ballafaqohet me sfida të reja për gjenerim të të hyrave. Tutje, Shala u bëri thirrje institucioneve për të marrë vendime në harmonizim të plotë me komunitetin e biznesit, ashtu që bizneset të mund të kontribuojnë në buxhetin dhe stabilitetin ekonomik të vendit.

Ky forum virtual i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë u mundësua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.