Prishtinë, 17 nëntor 2020 – Themelimi i një biznesi është proces sfidues edhe në rrethana normale, ndërsa pavarësisht vështirësive të cilat pandemia COVID-19 ka shkaktuar për ndërmarrësinë, e njëjta ka krijuar edhe mundësi dhe ide të reja për të filluar biznese. Kjo u tha mes të tjerash në një forum virtual të organizuar në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë nga Qendra e Inovacionit të Kosovës (ICK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, gjatë së cilit u diskutua mbi krijimin e bizneseve gjatë pandemisë.
Mimika Dobroshi, themeluese e Click Flick – platformë digjitale që ofron animacione argëtuese për fëmijë, tha se si ndërmarrëse ka konsideruar kohën e pandemisë COVID-19 si kohën e duhur për themelimin e këtij biznesi, pasi që sipas saj, në një ekonomi të qëndrueshme ka rënie të mëdha të investimeve në inovacion, ndërsa gjatë një recesioni kriza ekonomike rrit nevojën e korporatave për investime të tilla, duke krijuar kështu mundësi për bizneset e reja. Duke folur për zanafillën dhe idenë për krijimin e Click Flick, ajo tha se kjo platformë digjitale është nxitur nga nevoja për t’i mbajtur fëmijët e argëtuar dhe aktiv gjatë periudhës së karantinës, por edhe duke u ofruar atyre qasje në programe më cilësore dhe edukative në gjuhën shqipe.
Ardin Badivuku, bashkëthemelues i platformës Get Fast Cast e cila ofron profile të modeleve, aktorëve si dhe figurantëve për video-produksioneve të ndryshme, duke ndarë rrugëtimin e tij drejt themelimit të kësaj platforme theksoi se karantina si masë kundër përhapjes së pandemisë ka shërbyer si mundësi për ideimin e mirëfilltë të biznesit, si dhe kryerjen e hulumtimeve rreth nevojave të tregut për shërbimet që ofron ky biznes. Badivuku po ashtu potencoi se të tilla platforma ekzistojnë edhe në tregjet e huaja, dhe lehtësojnë punën e regjisorëve por edhe i shërbejnë industrisë të argëtimit dhe marketingut. Tutje, ai përmendi se mes tjerash, një ndër qëllimet e këtij biznesi është depërtimi në tregjet ndërkombëtare përmes marketingut digjital, dhe promovimi në rrjete sociale.
Ndërmarrësja Blerina Hasani – Gashi ndërsa elaboroi mbi biznesin e saj The Finks që tashmë është pjesë e Inkubatorit të Bizneseve brenda Qendrës së Inovacionit të Kosovës, tha se periudha e karantinës ka qenë pikënisja e themelimit të këtij biznesi. Ajo potencoi se ideja për krijimin e The Finks, që në thelb ka digjitalizimin e proceseve të printimit të dokumenteve dhe fotografive, është nxitur nga digjitalizimi i proceseve të punës dhe transferimi i tyre për kryerje nga distanca. Tutje ajo shtoi se gjatë përgatitjes së saj për depërtim në botën e ndërmarrësisë, ka përfituar shumë nga të qenit pjesë e Inkubatorit të Bizneseve të Qendrës së Inovacionit, ku në veçanti përmendi sesionet e trajnimeve, shkëmbimin e eksperiencave mes ndërmarrësish si dhe zhvillimin e aftësive të nevojshme për zhvillim të biznesit dhe etablim në treg.
Java Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë organizohet nën udhëheqjen e ICK.