Pandemia krijon trende të reja për sektorin e HORECA-së

Prishtinë, 6 prill 2021 – Marrë parasysh ndryshimet e shumta që ka shkaktuar shpërthimi i pandemisë COVID-19, duke riformuar realitetin e mëparshëm në shumë industri, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum virtual mbi trendet në sektorin e hoteleve, restauranteve dhe kafiterive (HORECA), gjatë vitit 2021. Përmes një diskutimi të frytshëm, në këtë forum u identifikuan disa nga sfidat kryesore të këtij sektori.

Ky forum u moderua nga Art Jashari, koordinator i projekteve për marketing në KFC Kosova, i cili tha se pandemia COVID-19 ka shkaktuar humbje drastike të jetës njerëzore dhe sociale, si dhe ka penguar zhvillimin normal të jetës ekonomike me mbyllje të kufinjëve, kufizime të tregtisë si dhe masa të ndryshme të Qeverive anembanë botës.

Gjatë këtij diskutimi, pronari i Hotelit Sirius, Sami Ahmeti, pohoi se sektori i hotelerisë është njëri nga sektorët më të dëmtuar që nga shpërthimi i pandemisë, duke potencuar se shitjet kanë rënë drastikisht, për dallim nga shpenzimet, të cilat janë zvogëluar fare pak. I pyetur mbi investimet potenciale për digjitalizim të proceseve të hotelierisë, ai tha se për momentin sektori po lufton për mbijetesë, dhe diçka e tillë u ka vështirësuar përqafimin e trendeve të reja. Ahmeti gjithashtu foli mbi zbritjen e vlerës së TVSH-së, të cilën e konsideroi një ndihmë të madhe, që duhet të vazhdojë edhe në vitet e tjera.

Ndërsa, anëtari i bordit në Sach Corporation, Flamur Breznica, theksoi rolin që sektori i hoteleve, restauranteve dhe kafiterive luan në ekonominë e vendit, duke thënë se i njëjti është një ndër faktorët më të rëndësishëm të kësaj të fundit. Duke folur mbi trendet e reja të krijuara nga nevoja për t’iu përshtatur ballafaqimit me pandeminë, Breznica tha se qe një kohë të gjatë po punohet në procesin e digjitalizimit, i cili është i domosdoshëm për arritjen në një pikë të njëjtë me trendet botërore.