Pandemia ndikoi në përshpejtimin e zhvillimit të tregtisë elektronike në Kosovë

Prishtinë, 10 nëntor 2021– Diskutim i rëndësishëm u zhvillua në ambientet e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, derisa po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të Javës Globale të Ndërrmarrësisë. Diskutuam për zhvillimin dhe ndërrmarrësinë e tregtisë elektronike, me fokus në sfidat që ballafaqohen komuniteti i tregtisë elektronike dhe ndikimin e pandemisë në përshpejtimin e përdorimit të tregtisë elektronike, me të rinj udhëheqës .

Genta Brestovci nga kompania EBAA përmendi ndikimin që ka pasur pandemia në vetëdijesimin e klientëve, e edhe të bizneseve të cilat nuk kanë operuar në platformën online para pandemisë, dhe se pastaj filluan të mendonin rreth kësaj pjese. Ajo përmendi vështirësinë e operimit të bizneseve online, duke pasur parasysh se nuk ka ndonjë ligj të specifikuar për blerjet që bëhen përmes platformave online.

Bashkë-themeluesja e Walone Fashion Group, Benek Osmani tha se faqet zyrtare të blerjeve online të rrobave nuk kanë qenë në nivelin që janë tani, por pas pandemisë klientët i kushtuan më shumë vëmendje edhe kësaj pjese, duke theksuar kështu se numri më i madh i personave në industrinë e tekstilit kryejnë blerjet më shumë fizikisht.

Erëmal Bajrami, menaxher i përgjithshëm në KFC Kosova tha se porositë nëpërmjet faqes zyrtare nuk kane qenë shumë të zhvilluara, sa i përket industrisë së ushqimit. Tutje, ai u shpreh se pandemia ka përshpejtuar planet e tyre për një strategji të re të porosive online. Sipas tij, duhet organizim i madh në aspektin logjistik dhe të punëtorëve. Bajrami u shpreh se qëllimi i tyre si industri e ushqimit është që klienti të mos hasë në vështirësi gjatë porosisë. ‘Si kompani jemi mobilizuar duke krijuar kështu qendrat e thirrjeve, në rast se individët që porosisin të mos hasin vështirësi rreth arritjes së ushqimit apo edhe në pengesa të tjera’, tha Barjami.

Kushtrim Dushi, themelues i Rave Travel përmendi vështirësinë e shitjeve të biletave përmes platformave online për shkak të pandemisë dhe mungesës së organizimit të ngjarjeve në Kosovë.

Ai tha se bankat duhet të kenë procedura më të lehta e më praktike në zgjidhjen e situatës gradualisht. Dushi tutje shtoi se sa i përket marketingut digjital, fokusin kryesor e kemi në rrjetet sociale pasi që promovimi më i mirë bëhet në atë formë.