Prishtina, 23 shkurt, 2023 – Në pritje të përfundimit të kornizës ligjore që përcakton rregullat për prodhimin dhe përcaktimin e çmimit të barnave, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një tryezë diskutimi rreth parandalimit të barnave të falsifikuara dhe rëndësinë e kontrollimit dhe hetimit të tyre para daljes në treg.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, theksoi se është e rëndësishme të përforcohen masat e kontrollit të barërave që importohen sidomos nga prodhues të panjohur. Sipas tij, këto masa duhen rregulluar edhe me dispozita të duhura ligjore, të cilat do të duhej të lehtësonin importimin e barërave të verifikuar nga prodhues të sigurt. Tutje Zeka tha se duhet rritur edhe kontrolli i shitjes së barërave për të cilat përshkrimi i mjekëve është i domosdoshëm.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha tha se institucioni që ai përfaqëson është në hapat e fundit të përfundimit të kornizës ligjore e cila do të sjellë dhe përmirësoj veprimtarinë e kësaj ministrie sa i përket barnave dhe mirëqenies së konsumatorëve. Berisha gjithashtu theksoi se këtë vit, buxheti për shëndetësi është rritur në mënyrë të konsiderueshme, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejtë në shëndetin publik.
Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë ngriti çështjen e rëndësisë së ligjit për çmimin e barnave ndërsa ndau me pjesëmarrësit edhe disa statistika për përqindjen e parave të cilën qytetarët e shpenzojnë brenda vitit në barna duke theksuar se ky ligj do të ndihmonte qytetarët. Bardiqi gjithashtu tha se mekanizmi i kontrollimit të barnave në Kosovë është fuqizuar.
Armend Zemaj, Zëvendëskryetar i Parë i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale tha se shpreson që ky ligj të votohet pasi që i njëjti do u dal në ndihmë qytetarëve, sidomos në ekonominë e tashme. Ai gjithashtu u shpreh se po punohet vazhdimisht drejt sjelljes së ligjeve të mirëfillta që ndikojnë në shëndetësi.
Arianit Jakupi, Kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, njëherit edhe moderator i kësaj tryeze, tha se ligjet me ndikim pozitiv në shëndetësi janë të domosdoshme, ndërsa shtoi nuk mund të mohohet prezenca e barnave të kontrabanduara në treg. Tutje ai theksoi se institucionet relevante shëndetësore duhet të thellojnë komunikimin dhe bashkëpunimin mes njëra tjetrës.
Dr. Pius Waldmeier, Kryesues i Hulumtimit & Zhvillimit, “Hoffman-La Roche” ndau me pjesëmarrësit proceset dhe veprimtaritë konkrete të cilat ata i ndërmarrin për të garantuar sigurinë e barnave të reja dhe sigurinë e tyre për pacientët. Ai veçanërisht cilësoi se zbulimi i barnave të falsifikuara në treg është jetike para se ato të arrijnë tek pacientët. Ai gjithashtu i dha rëndësi kujdesit të shtuar gjatë shfletimit të faqeve online për shitje të barnave pasi që të njëjtat nuk janë të sigurta dhe mund të shkaktojnë shumë dëme.
Selvete Shuleta – Qehaja, Udhëheqëse e Divizionit për Planifikimin e Menaxhimit Të Rrezikut në Departamentin e Farmakovigjilencës elaboroi mbi veprimtarinë e këtij departamenti, raportimet që bëhen nga qytetarët për barnat e falsifikuara dhe ndikimin në pacientë. Ajo gjithashtu ngriti çështjen e fletushkave informative rreth barnave të cilat, sipas saj, kur janë në gjuhë të huaj vënë në rrezik pacientët të cilët shpeshherë nuk i kanë informatat e nevojshme.
Avokati nga RPHS Law, Visar Ramaj, cilësoi se politikat të cilat duhet të konsiderohen për të zgjidhur problemin e barnave të falsifikuara në Kosovë janë fuqizimi i vigjilencës që siguron kualitetin dhe besueshmërinë e barnave, dhe rregullimi i çmimit në treg sipas standardeve të jetesës. Ai gjithashtu vuri rëndësi në importin e barnave nga prodhues të besueshëm të cilët i përmbushin kriteret e sigurisë së barnave.
Vesna Aleksovka nga International Gaucher Alliance, ndau me pjesëmarrësit praktikat dhe politikat e Maqedonisë së Veriut rreth parandalimit të barnave të falsifikuara, mirëqenies së pacientëve dhe tregtisë së barnave në përgjithësi. Ajo theksoi se këto barna përveç dëmeve shëndetësore që shkaktojnë të konsumuesit, ndikojnë negativisht edhe në besimin ndaj institucioneve shëndetësore.