Pavarësisht pandemisë, ndërmarrjet kosovare të përgjegjshëm në aspektin social

Prishtinë, 15 qershor 2021 – Ndikimi i pandemisë në aktivitetet e përgjegjësisë sociale korporative (CSR) ka qenë dukshëm i lartë. Për të diskutuar në lidhje me këtë të fundit, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar ngjarjen e radhës me hisedarë nga sektori privat.

Afrika Zyferi, eksperte e marrëdhënies me publikun në IPKO, theksoi se kompania në fjalë ishte një ndër industritë shtyllë gjatë periudhës së pandemisë. Ajo foli për aktivitetet e realizuara nga IPKO përgjatë kësaj periudhe duke thënë se janë përfshirë aktivitete argëtuese dhe kërkesa të shumta për komunikim. Zyferi tutje tha se prioritet kyç ka qenë mirëqenia e stafit dhe klientëve, si dhe siguria e kushteve për punë nga shtëpia, “një ndër aktivitetet që duhet cekur është zhvillimi i aplikacioneve për pagesa online” tha ajo.

Menaxherja për komunikim në KEDS, Linda Gjokaj tha se pandemia ka ndërruar sistemin e punës së kësaj kompanie. Ajo tutje tha se 80% e punëtorëve të KEDS kanë qenë në terren gjatë gjithë kohës dhe se të gjitha strategjitë janë realizuar në mënyrë krejtësisht të ndryshme. Gjokaj përmendi me theks të veçantë KEDS ACADEMY, projekt ky i cili ishte vazhdimisht aktiv, duke mbështetur fëmijët për të kaluar më lehtë në mësim online. Pavarësisht sfidave të mëdha, efekti i kësaj akademie ishte i jashtëzakonshëm, duke pasur kështu një përfundim frytdhënës, edhe për vetë kompaninë, por edhe për nxënësit,

Njomza Rozhaja, menaxhere e pikës në BKT, njëherit moderatore e kësaj ngjarjeje, theksoi se BKT ka qenë mjaft e angazhuar në shumë aktivitete të ndryshme, e veçanërisht me ato të përgjegjësisë sociale korporative (CSR). Rozhaja foli në veçanti për përkrahjen e dhënë ndaj shoqatave në nevojë, kryesisht ato të fëmijëve.

Përfaqësuesit e pranishëm të bizneseve ngritën çështjet që ndërlidhen me vështirësitë e hasura gjatë periudhës së pandemisë duke theksuar kryesisht si pikë kyce mirëqenien e stafit, komunikimin dhe përkrahjen morale, pa i lënë mbrapa edhe aktivitetet e përgjegjësisë sociale korporative, duke u nisur nga ofrimi i produkteve online, me fokus në E-commerce.