Prishtinë, 31 mars 2021 – Në kuadër të Javës së Arbitrazhit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe programi i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Drejtësi Komerciale, gjatë ditës së dytë të kësaj jave, përmes një forumi virtual u diskutua mbi arsyet mbrapa përfaqësimit të ulët të grave në arbitrazh, duke përfshirë sfidat me të cilat ato përballen në këtë proces, si dhe mundësitë për të rritur përfaqësimin e tyre si arbitre. Çështja e nën-përfaqësimit të grave në arbitrazh është ekzistente jo vetëm në Kosovë, por globalisht.
Gjatë këtij forumi, sekretarja e përgjithshme e Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, Tea Blakaj-Hoxha, theksoi se kjo qendër është në proces të azhurnimit të listës së arbitrave, si dhe të amandamentimit të rregullave të funksionimit të Këshillit Drejtues ashtu që të ndërmerren veprime të tilla që sa më shumë të promovohet pjesëmarrja e grave në arbitrazh.
Pjesë e panelit për këtë diskutim ishte edhe zëvendës udhëheqësja e Programit të USAID për Drejtësi Komerciale, Vjosa Shkodra, e cila foli mbi aktivitetet e këtij programi në përgjithësi, si dhe bashkëpunimin me Odën Amerikane në promovimin e arbitrazhit në veçanti, ku përmendi ndikimin e këtij të fundit në rritjen e përgjithshme të interesimit ndaj drejtësisë komerciale. Shkodra theksoi se përfaqësimi i grave në arbitrazh është ende i vogël, jo vetëm në Kosovë por në tërë botën, mirëpo është e rëndësishme të fokusohemi në këtë temë për t’i njoftuar profesionistet ligjore për mundësitë për tu përfshirë në arbitrazh. Shkodra theksoi se programi i USAID për Drejtësi Komerciale aktualisht ka një program të praktikantëve, të cilit iu referua si akademi e drejtësisë komerciale, duke përmendur se gratë dominojnë në aspektin e interesimit për përfshirje në këtë program.
Ndërsa, avokatja Erblina Krasniqi Prishtina, u shpreh se arbitrazhi është një institucion që rishtazi është duke u promovuar në Kosovë, derisa tha se si avokate, qe një periudhë të gjatë u rekomandon bizneseve të përfshijnë klauzolat e arbitrazhit në kontratat e tyre. Sipas Krasniqi Prishtinas, ekziston një rritje në angazhimin e grave në arbitrazh, apo në përgjithësi në fushën e jurispodencës qoftë në aspektin ndërkombëtarë por edhe vendorë, por megjithatë numri nuk është i madh në proporcion me burrat. Ajo konsideroi se nxjerrja e statistikave të grave që e ushtrojnë profesionin do të ishte shumë e nevojshme, ashtu që të shihet sa kemi gra të fokusuara qoftë në fushën e praktikës së avokatisë apo edhe metodave të tjera alternative.