Përfshirja dhe Fuqizimi i Grave, Panel Diskutimi në Odën Amerikane

Prishtinë, 7 mars, 2024 – Me qëllim të promovimit të kulturës së përfshirjes dhe fuqizimit, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një panel diskutimi me temë “Gratë që udhëheqin të ardhmen e sektorit Bankar: Nxitja e Inovacionit dhe Përfshirjes”. Në krye të këtij udhëtimi transformues ishin tri gra të shquara – Mimoza Godanci, Iliriana Toçi dhe Eda Vaso Shaqiri – historitë e të cilave mishërojnë angazhimin për të thyer barrierat gjinore dhe për të riformuar narrativën e grave në financa.

Paneli u moderua nga Eda Vaso Shaqiri, Kryeshefe Ekzekutive e Unioni Financiar. Eda u ndal në transformimin e dinamikës gjinore në sektorin financiar dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes gjinore. Ajo theksoi gjithashtu se gratë janë nga natyra më të komunikueshme, më të përgjegjshme në kuadrin e rreziqeve që merr ndërmarrja.

Mimoza Godanci, Kryeshefe Ekzekutive e BPB-së, diskutoi për numrin e madh të aksionerëve në BPB dhe shqetësimet e tyre për zgjedhjen e një gruaje në bord, e cila më pas çoi në një zgjedhje me rezultate pozitive. Godanci vuri në dukje përpjekjet e suksesshme për të adresuar pabarazitë në negocimin e pagave. Ajo theksoi gjithashtu ngushtimin e diferencës së pagave mes drejtuesve dhe stafit, si dhe futjen e orarit fleksibil të punës të premteve.

Iliriana Toçi, Anëtare e Bordit Menaxhues për Retail në Raiffeisen Bank në Kosovë, diskutoi për barazinë gjinore në menaxhim në vendin e saj të punës. Përveç kësaj, Toçi vuri në dukje se rreth 52% e drejtuesve të departamenteve janë gra. Ajo vuri në dukje edhe paragjykimet e vetë grave për shmangien e roleve drejtuese, që përfshijnë të mos kenë ende fëmijë, të mos jenë të martuara apo arsye të tjera. Një pikë kyçe e diskutimit të saj për gratë ishte të mos presin kohën ideale, sepse ajo kohë nuk do të vijë. Më tej, Iliriana Toçi shpjegoi se ndër përfitimet për punonjësit e Raiffeisen Bank organizojnë takime me trajnerë joga për gratë dhe vajzat në pushim të lehonisë, ku ajo merr pjesë si folëse motivuese.

Ky seminar i fuqishëm nënvizon përpjekjet e vazhdueshme për të thyer barrierat gjinore dhe për të riformuar narrativën e grave në financa. Ndërsa këto lidere me ndikim vazhdojnë të frymëzojnë ndryshimin, ngjarja shënon një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe më të fuqizuar për industrinë bankare.